“Edhe një pikë është OK në Laç”, Rroca: Ja pse kemi pasur luhatje në rezultate

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2019 | 22:03

“Edhe një pikë është OK në Laç”, Rroca: Ja pse kemi pasur luhatje në rezultate

Kukësi arriti ta tejka lonte situatën e vështirë që kaloi në disa ndeshje të fazës së parë. Shtatë pikët e grumbulluara në tri takimet e fundit e kanë rritur optimizmin në skuadër për të vazhduar ecurinë pozitive. Fakti që Partizani kryesues është vetëm tri pikë më tepër, i ngushëllon disi drejtuesit, stafin dhe lojtarët e ekipit verilindor.

eduart rroca

I kontaktuar dje nga “Panorama Sport”, fantazisti Eduard Rroca foli për sfidën e radhës ndaj Laçit dhe atë që duhet të kishte bërë më mirë Kukësi në fazën e parë. Ai u druhet kurbinasve, ndërsa e kënaq një pikë për shkak të mungesave të shumta në këtë transfertë.

Për Rrocën, peng mbetet humbja ndaj Vllaznisë në “Elbasan Arena”. Sipas tij, përtej oshilacioneve, ky Kukës është në rrugën e duhur. “Në çdo lloj kushtesh, transferta në Laç mbetet delikate. Për vetë faktin që kemi mungesa të rëndësishme, edhe një pikë ndaj skuadrës më në formë mund të konsiderohet e kënaqshme”, ka thënë ndër të tjera 26-vjeçari.

Një Kukës me oshilacione, edhe pse vetëm tri pikë larg kreut. Çfarë mendoni se nuk ka funksionuar veçanërisht në fazën e parë?

Është e vërtetë që kemi pasur luhatje. Në fakt, e nisëm mjaft mirë kampionatin, ku në katër ndeshjet e para morëm 10 pikë, por pastaj erdhën disa rezultate negative, të cilat e ulën vetëbesimin në skuadër. Nuk mund të them se çfarë nuk ka funksionuar, por besoj që ndeshjet i kemi zhvilluar të mira. Kemi humbur shumë raste, ndërsa ekipet na kanë ardhur një herë apo dy herë në portë e na kanë ndëshkuar. Këtu i referohem më tepër humbjes ndaj Vllaznisë, pasi ishte një ndeshje që na ka kushtuar shumë.

Në tri takimet e fundit keni marrë 7 pikë. Mendoni se jeni në rrugën e duhur për të tentuar parakalimin e Partizanit?

Besoj që jemi në rrugën e duhur. Kemi marrë rezultate pozitive, pasi të tillë mund ta quajmë edhe barazimin ndaj Partizanit. Kam bindjen se jemi konsoliduar dhe do të vazhdojmë me këtë ecuri të mirë.

Të dielën luani një transfertë delikate në Laç, për më tepër që kundërshtari vjen pas tri fitoreve radhazi…

Laçi është në një formë të shkëlqyer dhe ekipi për t’u mundur në këtë fazë të dytë. Sigurisht që në çdo lloj kushtesh, kjo mbetet transfertë delikate. I druhemi kësaj ndeshjeje, besoj se do të jetë shumë e luftuar. Shpresojmë që të arrijmë një rezultat pozitiv.

Ju kënaq edhe një barazim në Laç?

Nuk mund të themi që na kënaq një barazim në Laç, pasi për vetë kualitetin dhe objektivat që kemi, nuk shkojmë në asnjë fushë për vetëm një pikë. Në varësi të lojës, barazimi mund të jetë i kënaqshëm.

Do të vuani disa mungesa të rëndësishme. Sa mund të ndikojnë?

Për vetë faktin që kemi këto mungesa të rëndësishme e thashë dhe pak më sipër që barazimi mund të konsiderohet i kënaqshëm. Nëse ekipi do të ishte i plotë, absolutisht që nuk do të kënaqeshim me barazim, pasi siç e thashë, shkojmë në çdo fushë për fitore. Këto mungesa prishin ekuilibrat e ekipit, pasi kur janë një ose dy mund të zëvendësohen, por kur janë kaq shumë, është më e vështirë. Megjithatë, kam besim te shokët që do t’i zëvendësojnë, pasi do të bëjnë më të mirën.

Përballë do të keni ish-trajnerin tuaj, Armando Cungun, por edhe ish-drejtorin Naim Halili. A mund të themi se ky është një element plus për Laçin?

Me profesor Cungun kam punuar për një kohë relativisht të shkurtër. E vlerësoj, sepse është një ndër trajnerët më të mirë në Shqipëri. Gjithsesi, nuk besoj që mund të quhet hakmarrje ndaj nesh, sepse kjo është puna jonë, si e trajnerëve dhe lojtarëve. Jemi profesionistë dhe nuk i marrim në konsideratë këto lloj gjërash. Sa për ndeshjen çdo takim është i ndryshëm dhe nuk besoj se ka ndikim.

Pa Musollin, por edhe me Limajn në dyshim. Duket sikur do të keni gjithë barrën e mesfushës në Laç…?

Për këtë javë Musolli është i konfirmuar që mungon, por shpresojmë që të na rikuperohet Limaj. Me të dy kemi krijuar një mesfushë të fortë dhe kemi bërë mirë në gjithë këto ndeshje. Është e vështirë kur mungon ndonjë prej tyre, por kam besim se edhe lojtarët që i zëvendësojnë do të japin më të mirën. Nuk është çështje pasigurie, pasi jemi mësuar me intensitet në fushë, por nga ana tjetër, me ata të dy në fushë, absolutisht që ndihem më mirë dhe mesfusha është e blinduar.

Cilin ekip e shikoni si rivalin më të fortë për titullin?

Akoma nuk mund të them që cili është rivali më i fortë, pasi shumë ekipe po bëjnë kampionat të mirë. Partizani është aty, Tirana gjithashtu, por nuk mund të harrojmë Teutën, Laçin dhe Bylisin, që po bëjnë mjaft mirë. Besoj se në fund të kësaj faze do të konsolidohen ekipet.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"