“Edhe ne na dhimbset jeta”, presidenti i Besës: U ekzagjerua, lojtarët tanë e “hanë me dhëmbë” virusin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga bota e sportit

Postuar: Maj 14, 2020 | 11:57


“Edhe ne na dhimbset jeta”, presidenti i Besës: U ekzagjerua, lojtarët tanë e “hanë me dhëmbë” virusin

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, vendosi dje pas një takimi me drejtuesit e klubeve të Superiores që kampionati elitar të rifillojë më 3 qershor. Për presidentin e Besës, Nexhat Bizhdili, situata është ekzagjeruar. Sipas tij, nuk duhet dramatizuar çështja e virusit dhe futbolli duhet të luhet pa frikë.Bizhdili-2

“Është absurde, – deklaron presidenti i kavajasve, – që 22 veta në një fushë të jenë të rrezikuar dhe qindra të tjerë në rrugë, ngjitur mes tyre, lejohen të bëjnë xhiro apo të shkojnë në qendrat tregtare. Ka dy javë që në Shqipëri nuk ka asnjë viktimë nga Koronavirusi. Mjafton ky tregues për të kuptuar se rreziku ka kaluar.

Shikoni qendrat tregtare plot, shikoni xhirot te liqeni në Tiranë apo bregdetet në Vlorë, Durrës e kudo. Janë qindra njerëz që bëjnë xhiro. Edhe doktor Pipero thotë se maskat s’janë të nevojshme në rrugë. Atëherë vetëm futbolli qenka ‘molla e sherrit’. A e dinë këta të komisioneve se lojtarët nuk qëndrojnë në vend, por vrapojnë për 90 minuta? Sepse ndoshta ka mundësi që shumë prej tyre të mos kenë qenë kurrë në stadium. E mbështes vendimin e FSHF-së për të rinisur futbolli”.

PROTOKOLLI – Bizhdili bën pak humor edhe me protokollet që i janë kërkuar futbollit: “Në Gjermani protokolli përmban 300 vetë prezent në stadium për të ndjekur një ndeshje. Te ne, sidomos në Kategorinë e Parë, as 50 vetë nuk bëhen në stadium dhe këtu kërkojnë lloj-lloj masash. Pse, ne njerëzve të futbollit nuk na dhimbset jeta? Na dashkan të tjerët më shumë se ne veten?”

Bizhdili

 

BESA – Për drejtuesin kryesor të Besës, skuadra është gati të kthehet në fushë. Sipas tij, dy javë mjaftojnë për futbollistët që të rifitojnë formën. Besa është pjesë e 4- shes së parë dhe ka vetëm 6 ndeshje për të luajtur.

“Krahasuar me ekipet e tjera, ne jemi komodë. Kemi një ekip me lojtarë shumica 18-20 vjeç, që e ‘hanë’ me dhëmbë virusin (qesh). Pjesën më të madhe të lojtarëve i kemi në Kavajë. Tani mezi presim besoj të hënën për të vijuar normalisht stërvitjen. Këtë grup, në 80% të tij do ta ruaj, pasi kemi kontrata 2 dhe 5- vjeçare. Kjo është një garanci e mirë për ne që në periudhën korrik-gusht, kur të nisë faza përgatitore, të mos kemi nevojë të afrojmë shumë futbollistë”, e mbyll deklaratën e tij presidenti i Besës, Bizhdili.

FERIZ FERIZAJ




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com