Edhe Kategoria e Parë rinis aktivitetin, kapiteni i Kastriotit mendon për “punën e lënë në mes”: Të sigurojmë matematikisht Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2020 | 21:12

Edhe Kategoria e Parë rinis aktivitetin, kapiteni i Kastriotit mendon për “punën e lënë në mes”: Të sigurojmë matematikisht Superioren

Rifillimi i kampionatit është pritur mjaft mirë në kampin e Kastriotit. Është caktuar data 18 maj për rinisjen e stërvitjes individuale, më 7 qershor fillojnë ndeshjet për skuadrat e “play out”-it dhe më 14 për ato të “play off”-it, ku bëjnë pjesë edhe krutanët. Gati një muaj përgatitje që do t’u shërbejnë lojtarëve për të kapur formën fizike.
emiliano cela

Për kapitenin Emiliano Çela, ky është një lajm i mirë, pasi sa më shumë kohë të kalonte pa aktivitet sportiv, aq më e dëmshme do të ishte për lojtarët: “Është një lajm i mirë rikthimi i futbollit. Siç jemi njoftuar, rifillojmë ndeshjet në qershor, ndërsa stërvitjen më 18 maj. Është kohë e mjaftueshme për ne që kemi kryer stërvitje edhe në kohën e karantinës. Nga bisedat që kam pasur me lojtarët e tjerë të ekipit, të gjithë janë stërvitur në kushte shtëpie. Kjo kohë ka qenë mjaft e vështirë për këdo, jo vetëm për ne futbollistët, por tashmë gjërat po marrin për mirë. Për pjesën e mbetur të sezonit do të thosha se kemi 9 pikë diferencë në 6 ndeshje dhe është diçka pozitive, por nuk duhet ta marrim lehtë. Duhet të impenjohemi maksimalisht edhe për këto takime deri më sigurimin matematikisht të ngjitjes, por edhe të respektojmë garën. Kastrioti deri më tani ka zhvilluar lojëra të mira dhe këtë e tregojnë pikët dhe golat e shënuar. Ky grup lojtarësh është mjaft cilësor dhe jam i bindur që do të bëjë mirë dhe në pjesën e mbetur.

E ardhmja? Të mbyllim zyrtarisht këtë sezon, më pas të shohim”, është shprehur kapiteni i Kastriotit, Çela.

BUJAR BALLIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"