“Edhe izolimi ka një kufi”, shpërthen sulmuesi 28-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 8, 2020 | 11:40

“Edhe izolimi ka një kufi”, shpërthen sulmuesi 28-vjeçar

Prej disa ditësh Lushnja është shpallur zonë e gjelbër, pasi momentalisht nuk ka asnjë të prekur me “COVID-19”. Megjithatë, edhe në këtë situatë futbollistët lushnjarë qëndrojnë të mbyllur në shtëpi, me vetëm dy orë liridalje në ditë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi Armando Mezini thekson:

Mezini

“Pavarësisht stërvitjes individuale, ditët tona po bëhen edhe më të vështira. Është një kohë shumë e papërshtatshme për të gjithë, pasi edhe vetizolimi ka një kufi. Ajo që e bën njeriun të ndihet mirë dhe i plotësuar, është puna e përditshme, vetëm puna i jep kuptim ditës”.

Pas pak ditësh Mezini mbush 28 vjeç. Para ndërprerjes së kampionatit ai ishte protagonist me fanellën verdhejeshile, me 6 gola të shënuar në 10 ndeshje të luajtura, të gjithë gola me peshë për skuadrën. Në takimin e fundit me Ilirinë arriti të shënonte një dopietë.

“Ishte një fat i keq, sepse po kaloja një moment shumë të mirë dhe po shënoja gati në çdo ndeshje. Tani pres që të paktën të dalim në fushën e stërvitjes. Në fakt, duhet ta kishim filluar stërvitjen. Presim të merret një vendim apo të caktohet një datë. Të gjithë po presim me padurim sinjalin për të rifilluar stërvitjen e më pas ndeshjet e kampionatit. Na mungon shumë fusha e gjelbër”, tha Mezini për gazetën. Lushnjës i intereson më shumë se të tjerëve rifillimi i garës, pas është e treta në renditje.

Alban Alushi – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"