Edhe Bajerni e ka “Ibrën”, kosovari Arijon Ibrahimoviç ecën me numra të frikshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 27, 2020 | 23:42

Edhe Bajerni e ka “Ibrën”, kosovari Arijon Ibrahimoviç ecën me numra të frikshëm

Emocionet e Arijon Ibrahimoviç nuk mund të fshiheshin në korrik të 2018-ës kur ai iu bashkua akademisë së Bajernit. Ishte vetëm 12 vjeç. Djaloshi me origjinë kosovare, i lindur në Gjermani, sapo kishte futur këmbët në shtëpinë e kampionëve bavarezë. “Jam shumë i lumtur që ndodhem sot këtu”, tha Arijoni, i cili shprehu menjëherë dëshirat e tij për të ardhmen. “Dua të bëhem një profesionist këtu te Bajerni”.jugend_fcb_071019

Sot, dy vite më vonë, lojtari që mban mbi supe mbiemrin e Zlatan Ibrahimoviçit, yllit të Milanit, është një nga lojtarët më premtues në akademinë e Bajernit. Edhe pse vetëm 14 vjeç, ai luan për 17- vjeçarët e gjigantëve gjermanë. Gjatë gjithë sezonit, edhe në pandemi, Arijoni është stërvitur me lojtarë që janë dy vite më të mëdhenj se ai. Në vitin 2020 ai ka luajtur të gjitha takimet me skuadrën e U-17 ku ka shënuar 20 gola në 13 ndeshje, dhe duke shërbyer 17 herë për shokët e skuadrës. Ai e nisi karrierën e tij me U-15, ku mori shiritin e kapitenit me skuadrën e tij. Ai ka lindur në dhjetor të 2005-ës, kur idhulli i tij, Zlatan Ibrahimoviç luante për Juventusin në Seria A.

Në 2014-ën, kur ishte vetëm 10 vjeç, ai luante si sulmues te moshat e Nurembergut. Aty ku të gjithë nisën ta krahasonin me yllin suedez. I pyetur nëse shokët e skuadrës e krahasojnë me Zlatanin, Arijoni u përgjigje se: “Po, pasi luaj në të njëjtin pozicion si ai. Mund të them se ai (Ibrahimoviç) dhe Ronaldo janë dy idhujt e mi. Janë lojtarët më të fortë në botë. Ibrahimoviç ka një kontratë me Bajernin deri në verën e 2022-shit. Por një rinovim me skuadrën nga Mynihu duket se është shumë afër. Edhe pse nisi si sulmues në pjesën e dytë të sezonit, 14- vjeçari është aktivizuar si numër tetë dhe disa herë si sulmues i majtë. Fakti që ai mund të luajë në disa pozicione, është një avantazh i madh për të.

campuscup_fcb_160819

RRËNJË KOSOVARE

Arijoni nuk ka luajtur asnjë ndeshje me kombëtaret e moshave të Gjermanisë, edhe pse ka qenë i grumbulluar në disa ndeshje kontrolli të organizuara nga DFB-ja. Ai ende nuk ka vendosur se për cilën kombëtare do të luajë. Përveç Gjermanisë, Kosova është një tjetër opsion për të, vendi ku ka edhe prejardhjen. Në një postim të tij në “Twitter”, ai shkruante se vizitonte Kosovën sa herë që kishte mundësi. Por nëse do të zgjedhë kombëtaren e origjinës së tij, kjo mbetet ende për t’u parë. E sigurt është që ai kërkon me çdo kusht të ngjitet në skuadrën e parë të Bajernit.

Aty ku luajnë më të mirët e Gjermanisë. Objektivi? Një karrierë e ngjashme me atë të yllit suedez, i cili në moshën 38-vjeçare vazhdon të shënojë për një klub legjendar si Milani. I sigurt që paraqitja e mirë e tij ka shkuar edhe në veshët e Hansi Flikut, trajnerit të parë të Bajernit, i cili është një “maniak” për sa u përket rritjeve të talenteve në skuadrën bavareze. Hansi e di mirë që nëse shkëlqen në akademi, shanset për të shkuar në skuadrën e parë janë të mëdha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"