Edeh: Ky është futbolli, por të gjithë besojmë te mbijetesa e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 9:51

Edeh: Ky është futbolli, por të gjithë besojmë te mbijetesa e Tiranës

Ifeani Edeh ishte i pafat në derbi, pasi goli i tij nuk i dha pikë Tiranës, ndonëse hapi ndeshjen. Sulmuesi afrikan pati një mundësi të artë në pjesën e dytë, por në dallim nga rasti i pjesës së parë Edeh nuk arriti të finalizonte si duhet, ku mund ta kalonte ekipin në avantazh.

edeh

Pas ndeshjes, numri 11 i bardhebluve pohoi se Tirana luajti mirë, por ishte e pafat, edhe pse futbolli pranon çdolloj rezultati. Ai e pranoi se Tirana rrezikon mbijetesën, por ka besim se, nëse luajnë si në derbi, ata do të mbeten në Superiore. Edeh sqaroi edhe peripecitë që ka kaluar te Tirana, pasi dëmtimi ndaj Flamurtarit e mbajti tre muaj jashtë. Ndërsa për të ardhmen, preferon të flasë pas përfundimit të sezonit.

Edeh, shënuat, por goli juaj nuk pati vlerë pikësh për Tiranën?

Ishte një humbje e pamerituar për ne. Unë shënova, por goli im nuk mjaftoi që të merrnim pikë në derbi. Duhet të merrnim maksimumin në këtë takim, për vetë pozicionin që mbajmë në klasifikim. Nuk kemi çfarë të bëjmë më shumë tani, pasi kështu e ka futbolli, fitore, barazim ose humbje. Derbi iku, nuk duhet të mendojmë më shumë për këtë takim, por të hedhim vështrimin te ndeshja e radhës, pasi duhet të luftojmë deri në fund për të mos rrezikuar rënien.

Tirana luajti më mirë se Partizani, por fati nuk ishte me ju në këtë takim…

Kështu e ka futbolli, luan mirë, por humbet në fund, ose e kundërta nuk luan mirë dhe merr trepikëshin. Na duhet që të ruajmë këtë ritëm që patëm ndaj Partizanit dhe të luftojmë që të mos rrezikojmë mbijetesën.

Përveç golit, patët edhe një rast në pjesën e dytë, ku mund të mbyllnit ndeshjen, por ishit i pafat?

Duhet ta bëja atë gol, pasi topin e kisha përpara, por realisht në atë rast isha i pafat.

Pas kësaj humbjeje, a e shikoni Tiranën nën presionin e sigurimit të mbijetesës?

Edhe para kësaj ndeshjeje, ne kemi qenë të përfshirë në luftën e mbijetesës, por kam besim se me shpirtin e garës që patëm ndaj Partizanit në fund të sezonit do të mbetemi në Superiore. Unë dhe të gjithë shokët e ekipit besojmë se do ta arrijmë këtë objektiv dhe Tirana të mbijetojë.

Duhen edhe 5 javë që të mbyllet sezoni, mund të na thoni diçka për të ardhmen tuaj, do të vijoni me Tiranën apo keni ndonjë destinacion tjetër?

Është herët për të folur për të ardhmen, pasi më parë duhet të mbyllet sezoni, pastaj do të vendos për të ardhmen time. Varet nga propozimet që do të kem.

Sezonin e nisët keq, por tani duket se Edeh e ka kapur formën e tij më të mirë…

Sezoni nuk nisi mirë dhe, pas dëmtimit në ndeshjen me Flamurtarin, m’u deshën tre muaj kohë që të rikuperohesha. Pas rikthimit më është dashur që të punoj fort për të kapur formën time.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"