Ecuria e Xhampaolos, zbardhen shkaqet që i “dogjën” stolin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2019 | 8:31

Ecuria e Xhampaolos, zbardhen shkaqet që i “dogjën” stolin

Fitorja e Milanit ndaj Xhenoas duket se nuk i mjafton Marko Xhampaolos për të qëndruar në stolin e kuqezinjve. Mbi trajnerin rëndojnë rezultatet e dobëta dhe një mesatare pikësh që në shtatë ndeshje është rreth 1.29 pikë për paraqitje. Në dekadën e fundit kjo është nisja më e dobët që një trajner i ka bërë sezonit në krye të Milanit.

xhampaolo

Broki që mbante rekordin negativ me 1.33 pikë për ndeshje (drejtoi Milanin në 6 sfida), tashmë është parakaluar. Teksa bisedimet janë në zhvillim konstant me disa trajnerë, mediat italiane kanë zbuluar se klubi milanez fillimisht po mendon për mënyrën e ndarjes me teknikut aktual, të cili thuhet se do t’i ofrohet një bonus për të pasur një ndarje konsensuale.

Xhampaolo po paguan për rezultatet e dobëta, por edhe për lojën e shëmtuar që skuadra e tij ka propozuar në këta dy muaj kampionat. Mbi trajnerin po rëndojnë edhe zgjedhjet e javëve të fundit, kur në formacion kanë qenë lojtarë që nuk e kanë justifikuar besimin. Mangësitë- Pika që e mbushi kupën janë lëniet në stol te Paketas dhe Leaos në ndeshjen e fundit kundër Xhenoas.

Me dyshen në fushë Milani përmbysi disavantazhin dhe fitoi tri pikë pas tri ndeshjesh të humbura. Pavarësisht se Zvonimir Boban për “La Stampa” ka deklaruar se drejtuesit nuk kanë ndërhyrë në zgjedhjet e Xhampaolos, është e qartë që tekniku ka bërë të lindin shumë pakënaqësi edhe për mungesën e agresivitetit.

maldini xhampaolo

I qetë edhe në momentet më kritike, ai akuzohet se nuk ka arritur t’i transmetojë ekipit jo vetëm idetë e tij për një futboll estetik (arsyeja për të cilën u punësua), por edhe grintën e duhur me të cilën duhet të zbriste në fushë. Teksa Xhampaolo pret zyrtarizimin e shkarkimit, në pozitë të vështirë është edhe Paolo Maldini, i cili po humb pak nga besimi i drejtuesve, të cilët i dhanë pushtet të plotë për merkaton dhe trajnerin, dy zgjedhje që nuk po japin frutet e pritura…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"