Ecuria e Teutës, drejtuesit kritika stafit dhe lojtarëve për ecurinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 2, 2021 | 21:56

Ecuria e Teutës, drejtuesit kritika stafit dhe lojtarëve për ecurinë

Te Teuta nuk pranojnë rezultatet e fundit. Drejtuesit e ekipit, të pakënaqur. Sprova e radhës do të jetë përballë Apolonisë. Teuta nuk po kalon një formë të mirë, teksa në dy ndeshjet e fundit ka grumbulluar vetëm një pikë. Synimi i të besuarve të Edi Martinit është titulli kampion, por fillimisht duhet harruar humbja ndaj Laçit dhe barazimi ndaj Partizanit. Drejtuesit e klubit blu u kanë bërë të ditur stafit teknik, si dhe futbollistëve se presin më shumë në fushë sa i përket lojës.

Teuta stervitje

Tashmë në Durrës duan fitore. Në ekip ka lojtarë shumë cilësorë dhe që bëjnë diferencën, ndaj pritet nga lojtarët një lojë e bukur. Gjithçka duket se është më se e qartë: presidenca pret më shumë nga ky ekip i superinvestuar, jo vetëm në rezultate, të cilat nuk i vënë në diskutim, por mbi të gjitha janë në pritje të një reagimi pozitiv sa i përket paraqitjes së tyre. Teuta i ka të gjitha mundësitë për të dhuruar emocione nëpërmjet lojës, si drejtuesve, por edhe tifozëve blu. Të gjithë presin reagimin e ekipit sa më shpejt, dhe duhet të përmirësohet loja. Në Durrës kërkohet të shikojnë futboll të vërtetë dhe një lojë të bukur në fushë. Deri tani Teuta ka pasur shumë oshilacjone dhe ende nuk është në ato nivele që të gjithë presin.

APOLONIA — Sfida e radhës Teuta do të përballet këtë fundjavë ndaj Apolonisë, në një ndeshje tejet të fortë për ta. Bardhejeshilët gjithmonë i kanë vendosur në vështirësi blutë, edhe në shtëpi. Edhe pse duke filluar nga dita e sotme ekipi do të marrë të gjitha detyrat dhe ngarkesën e nevojshme për këtë ndeshje, të gjithë janë të ndërgjegjshëm se nuk do ta kenë të lehtë përballë tyre. Ndërkaq, për t’u theksuar është fakti se gjithmonë që ka luajtur në Durrës, Apolonia ka bërë mirë, kështu që edhe kësaj here pritet të jetë e vështirë. Gjithsesi, djemtë e detit do të bëjnë të pamundurën në fushën e lojës për të mos zhgënjyer, aq më tepër që do të luajnë në shtëpi. Në këto kushte, të gjithë janë të angazhuar për t’u rikthyer me serinë e rezultateve pozitive.

Krasniqi Teuta logo

MUNGESAT — Florent Avdyli mungon ndaj Apolonisë, gati Xhekson. Teuta do të ketë një mungesë të sigurt për ndeshjen e fundjavës që do të zhvillojë kundër Apolonisë. Bëhet fjalë për mesfushorin kosovar Florent Avdyli, i cili nuk do të jetë i gatshëm, për shkak se ka plotësuar numrin tre të kartonëve të verdhë. Për këtë arsye, lojtari nuk do të jetë nën urdhrat e numrit një të pankinës durrsake, Edi Martini, të cilit i duhet të mendojë për zëvendësuesin e tij. Ndërkohë, nga ana tjetër, pritet rikthimi i Xhekson. Mbrojtësi është drejt rikuperimit të gjendjes së tij fizike dhe duket se ka kapur ritmin.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"