Ecuria e Skënderbeut, Prençi nuk shqetësohet: Na ka munguar vetëm finalizimi, duhet të jemi cinikë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2022 | 22:27

Ecuria e Skënderbeut, Prençi nuk shqetësohet: Na ka munguar vetëm finalizimi, duhet të jemi cinikë

Skënderbeu nuk e ka nisur mirë sezonin dhe pakënaqësitë dukshëm janë të mëdha. Dy pikë në 270 minuta janë pak, por duket se rezultatet nuk e shqetësojnë shumë ekipin. Në Korçë kanë besim te ringritja dhe këtë e thotë Elvis Prençi, i cili e njeh mirë situatën në këtë kategori.

prenci skenderbeu

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, mbrojtësi thekson se skuadrës nuk i ka munguar loja dhe kjo jep shpresë për kthesën e menjëhershme. E megjithatë, ai ka një këshillë për shokët dhe pret që në vazhdim të jenë më cinikë.

Prençi, një sezon i ri në tjetër kategori…

Është një aventurë e re, edhe pse unë e kam provuar të luaj në këtë nivel nëntë sezone më parë. Por duhet të them se në ndryshim me atë periudhë, niveli i kësaj kategorie është rritur mjaft. Ka shumë ekipe dhe lojtarë cilësorë. Të gjithë meritojnë respekt.

Në tri javë Skënderbeu ka marrë vetëm dy pikë. Ju mërzit ky start?

Patjetër që na mërzit, pasi e kishim menduar ndryshe. Ajo që na motivon dhe na bën të ndihemi mirë, është loja. Përtej rezultateve, jemi një ekip që luajmë rrjedhshëm, prodhojmë volum dhe ndërtojmë aksione të qarta deri te porta kundërshtare. Na ka munguar vetëm finalizimi, që besoj se me kalimin e javëve do të rregullohet.

Vetëm finalizimi ka munguar?

Edhe cinizmi para porte. Duhet që të shfrytëzojmë në maksimum rastet e krijuara gjatë një takimi dhe të mbyllim sa më shpejt lojën. Kjo, pasi rezultati 0-0 në këtë kategori asnjëherë nuk të jep garanci.

Në ndeshjet e radhës bëhet detyrim fitorja?

Duke parë grupin dhe formën si punohet këtu, them se çdo gjë do të vijë në ngritje. Ne po përgatitemi maksimalisht për kthesën. Na vjen në ndihmë edhe pushimi i kampionatit, pasi do të kemi më shumë kohë për të përgatitur, jo vetëm dy takimet e kampionatit, por edhe përballjen e dyfishtë në Kupë me Maliqin.

A është i arritshëm objektivi final dhe kë shihni si rival kryesor?

Rivaliteti në këtë sezon do të jetë i ashpër deri në fund. Mendoj se Skënderbeu duhet të fokusohet vetëm te vetja e vet dhe tek ato që duhet të arrijë po vetë. Kjo duke marrë maksimumin në çdo ndeshje pasi në këtë kategori gabimet paguhen shtrenjtë. Janë vetëm dy faza dhe nuk ke mundësi rikuperimi siç është në Superiore, që ekipet përballen katër herë me njëri-tjetrin.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"