E zbuloi Skënderbeu, kush është nigeriani 19-vjeçar që çmendi Luftëtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 13, 2018 | 23:38

E zbuloi Skënderbeu, kush është nigeriani 19-vjeçar që çmendi Luftëtarin

Adeleke Akinyemi ishte vetëm 17- vjeç kur ra në “grepat” e Skënderbeut si një i talentuar që mund të shpërthente. Mirëpo, në verën e vitit 2015 nuk mund të bëhej pjesë e korçarëve, pasi skuadra e drejtuar në atë kohë nga Mirel Josa ishte e kompletuar në sulm.

akinjemi

Gjithsesi, Skënderbeu e huazoi direkt në Kosovë te Trepça ’89, ku i mjaftoi një gjysmësezoni për t’u bërë yll. Në Superligën kosovare shënoi 10 gola, e më pas u “zhduk” nga Mitrovica për të përfunduar në Letoni. Më 11 gusht të këtij viti mbush 20 vjeç, ndërsa dje u fut në historinë e klubit të Ventspils, si lojtari i parë që shënon katër gola në një ndeshje të vlefshme për Ligën e Europës.

Akinyemi u bë makth për mbrojtjen e Luftëtarit në pjesën e parë të ndeshjes. Fitoi dy penallti dhe ishte protagonist në çdo gol. Mirëpo, le të mbetemi te historia me Skënderbeun e yllit nigerian, që luan tashmë sezonin e dytë në Letoni. Në verën e 2016-ës, Skënderbeu mori një dënim nga UEFA për mospjesëmarrje në Champions dhe klubi pak e kishte mendjen tek i riu, duke e lënë të lirë të firmoste me parametra zero për Ventspils. Tashmë rezulton se ka humbur një talent, që në vitin e tij të dytë në kampionatin letonez, ka shënuar 18 gola në 33 ndeshje të luajtura.

Sulmuesi nigerian është nën kontratë me letonezët edhe për dy sezone, teksa mësohet se paguhet me rreth 3 mijë euro në muaj. Ventspils nuk është një klub që ka buxhet të lartë. Gazeta mëson se letonezët harxhojnë për paga lojtarësh dhe staf teknik në sezon afro 1 milion euro, po aq sa është në njëfarë mënyre edhe buxheti i klubeve që synojnë titullin kampion në Shqipëri si Skënderbeu, Partizani etj.

ade

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"