“E vështirë rikthimi në Superiore”, ish-futbollisti i Flamurtarit: Do të pranoja me kënaqësi një rol drejtuesi, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2020 | 23:11

“E vështirë rikthimi në Superiore”, ish-futbollisti i Flamurtarit: Do të pranoja me kënaqësi një rol drejtuesi, por…

Halim Begaj, ashtu si një pjesë e mirë e ish-lojtarëve të Flamurtarit apo specialistëve të futbollit, e sheh të vështirë ngjitjen e këtij ekipi në Superiore brenda një sezoni. Gjatë një prononcimi për “Panorama Sport”, ishmbrojtësi i majtë i vlonjatëve thekson se rikthimi i shpejtë ndodh vetëm nëse klubi bën afrime të goditura dhe nëse ka financa të siguruara në të ardhmen.
Halim Begaj
“Që të flasim për Flamurtarin, do ditë dhe net. Në fakt, e kam menduar se do të binte nga kategoria, duke parë rezultatet dhe menaxhimin që i është bërë klubit në periudhën e fundit. Më vjen shumë keq për këtë që ndodhi, pasi kam dhënë kontributin tim për atë ekip. Kam shumë keqardhje për këtë situatë që po kalon dhe më duket disi e vështirë për t’u bërë sërish pjesë e elitës së futbollit shqiptar. Vetëm nëse drejtuesit e Flamurtarit do të bëjnë afrimet e duhura, nëse ka financim dhe motivim, ndoshta mund të ketë një rikthim të shpejtë në Superiore, por më duket e vështirë, mbi të gjitha nëse nuk do të ketë financa të sigurta. Drejtuesit duhet të punojnë për një plan të qartë të merkatos dhe nga ana tjetër duhet të ketë edhe një motivim në skuadër për një paraqitje sa më të mirë në kampionat. Të jem i sinqertë, e shikoj tejet të vështirë ngjitjen brenda një sezoni”, shprehet Begaj.
flamurtari
TË RINJTË – E ndërsa vlerëson ingranimin e të rinjve në skuadër, Halim Begaj thotë se për suksesin nuk mjafton vetëm talenti, por duhet edhe eksperiencë. “Elementët e rinj janë, siç ndodh zakonisht me këdo që bëhet pjesë e një skuadre. Nuk mjafton vetëm talenti, duhet edhe eksperiencë. Këta të rinj duhet të jenë me këmbë në tokë dhe ta shfrytëzojnë momentin, duke ndihmuar edhe skuadrën. Në grup duhet të ketë edhe lojtarë me eksperiencë për të arritur një objektiv të rëndësishëm, siç është ngjitja në Superiore. Me kënaqësi do ta pranoja një rol drejtuesi te Flamurtari, por nëse bëhet një ristrukturim i administratës”, shton më tej vlonjati. Me Flamurtarin janë bashkuar disa lojtarë gjatë kësaj periudhe, por ende nuk kanë firmosur kontratën me klubin kuqezi, drejtuesit e të cilit garantojnë se nuk kanë asnjë problem me bllokimin e merkatos.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"