“E vështirë me Tiranën”, Krasniqi: Ndoqëm këshillat e Dajës dhe ia dolëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 24, 2019 | 20:04

“E vështirë me Tiranën”, Krasniqi: Ndoqëm këshillat e Dajës dhe ia dolëm

Është rikthyer të bëjë protagonistin me Skënderbeun dhe dje shënoi një gol me shumë peshë për korçarët. Blerim Krasniqi ka nevojë për pak mbështetje dhe për motivimin që të japin rivalët e vështirë si Tirana për të treguar se ka potencial dhe se mund të bëjë diferencën.

Goli i Krasniqit

“Një fitore me shumë vlera dhe mjaft e rëndësishme, – thotë ai ekskluzivisht për “Panorama Sport”. – Për nga mënyra se si po zhvillohet ky sezon nuk duhet të përfshihemi nga vetëkënaqësia, pasi e shohim se me një fitore je për zonën europiane dhe më pas nga një humbje futesh në zonën e mbijetesës.

Duhet të vijojmë kështu me këtë përqendrim dhe paraqitje. Mungesat po na penalizojnë dhe po na bëjnë që të luajmë çdo herë ndryshe, por përtej të gjithave them se kështu tregojmë edhe vlerat tona”, thotë 23-vjeçari që dje shënoi golin e tretë këtë sezon. Për shkak të luhatjeve të shpeshta dhe vështirësive që ka hasur skuadra korçare gjatë këtij sezoni, është kritikuar shpesh edhe për mungesë cilësie.

Krasniqi nuk mendon kështu, madje kalon në “kundërsulm”, duke shprehur bindjen se ekipi ka potencial të madh dhe nuk mund të flaket me një të rënë të lapsit puna dhe sakrifica që bëhet nga shokët e skuadrës, por edhe nga stafi. “Nuk jemi një ekip për t’u ‘flakur’, por kemi cilësi dhe do të mundohemi t’ua tregojmë të gjithëve se çfarë mund të bëjmë. Ndaj Tiranës ishte një ndeshje e vështirë dhe u munduam të merrnim përsipër aq sa na kishte kërkuar trajneri. Rezultoi efikase dhe kjo ka rëndësi.

Tani duhet të vijojmë kështu, pasi kampionati nuk përfundon me këtë ndeshje”, u shpreh ai. Krasniqi konsiderohet si një nga xhevahirët e klubit korçar jo vetëm prej moshës që ka, por edhe për potencialin. Në të ardhmen ai mund të ndjekë rrugën e Olainkës, Berishës, Latifit dhe shumë të tjerëve që përveçse kanë lënë gjurmë në Korçë, i kanë sjellë të ardhura të majme klubit me shitjen e kartonit të tyre.

LL. SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"