E trishtë, ylli i Superiores ka probleme me zemrën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2019 | 15:00

E trishtë, ylli i Superiores ka probleme me zemrën

Kirian Nuabueze është lojtari i momentit në kampionatin shqiptar. Ai kryeson listën e golashënuesve me 11 rrjeta deri tani.

nUABUEZE

Shtatë prej tyre i ka shënuar në katër ndeshjet e fundit. Nuk ka humbur asnjë ndeshje me Laçin dhe i ka mrekulluar të gjithë me forcën, klasin dhe saktësinë që ka para portës. 26-vjeçari iu bashkua këtë verë kurbinasve pas eksperiencave te ND Gorica dhe Pobeda.

Historia e trishtë

Nëse bën një kërkim të thjeshtë në internet për nigerianin me pasaportë amerikane, papritur të shfaqen lajme shqetësuese. Më 28 qershor të vitit 2018, klubi i ND Goricës në Slloveni ka nxjerrë një komunikatë për shtyp, ku thotë se do të ndërpriste kontratën me Kirian Nuabuezen, sepse pas vizitave mjekësore, mjekët nuk kanë dhënë miratimin se ai mund të vazhdonte karrierën futbollistike me klubin slloven.

GORICA

“Kirian Nuabuezes nuk i është dhënë leje nga mjekët sllovenë për të vazhduar karrierën futbollistike me fanellën bardheblu. Përgjigjja e analizave mjekësore nuk i ka kënaqur mjekët, prandaj ND Gorica ka pranuar që ta ndërpresë bashkëpunimin me këtë futbollist.

“Falënderojmë përzemërsisht Kirian Nuabuezen për kontributin e tij me skuadrën tonë dhe i urojmë fat, por mbi të gjitha shëndet të mirë gjatë jetës së tij”, shkruhej ndër të tjera në komunikatën e klubit slloven. Deri këtu bëhet fjalë për probleme shëndetësore, por askund nuk është cituar diagnoza apo të specifikohet problemi, por media sllovene nuk e ka lënë me kaq.

Problemet me zemrën

“Një amerikan me probleme kardiake, që Gorica nuk e donte, pothuajse vdiq në fushë”, është titulli i portalit slloven www.siol.net më 14 nëntor të vitit të kaluar.

kirian nuabueze

“Një futbollist amerikan me origjinë nigeriane, që nuk ka mundur të marrë certifikatën mjekësore në Slloveni, për shkak të problemeve me zemrën, vazhdon të luajë futboll duke vijuar karrierën e tij në Maqedoni. Ka luajtur edhe si titullar me skuadrën që kryesonte kampionatin derisa në një moment është rrëzuar përtokë gjatë ndeshjes. Kirian Nuabueze mbërriti te ND Gorica në fillim të vitit 2018 dhe pasi luajti për gjysmën e sezonit, ai iu nënshtrua analizave mjekësore rutinë para se të niste edicioni i ri. Analizat kanë treguar se ai kishte probleme kardiake, madje për këtë arsye iu nënshtrua edhe një ndërhyrjeje kirurgjikale. Për këtë arsye Gorica u detyrua të ndërpriste kontratën me të.

Natyrisht që kishin të drejtë. Po çfarë ndodhi më pas? Sulmuesi firmosi me klubin maqedonas të Pobedës së Prilepit, por na mbërrin lajmi se gjatë një ndeshjeje kundër Renovës në Tetovë, lojtari është ndier keq pas 20 minutave. Ai ka pasur shqetësime dhe të përziera. Për fat të mirë, e keqja kaloi me aq dhe, falë ndërhyrjes së mjekëve, ai mbijetoi. Tani pyetja është se si arriti ai të firmoste një kontratë me Pobedën pa pasur certifikatën mjekësore”, shkruhej ndër të tjera në artikull. Pas kësaj, pyetja ka vend edhe për në Shqipëri. Nëse Nuabueze ka probleme me zemrën, si arriti të firmoste një kontratë me Laçin? Po mbi të gjitha, habia më e madhe është se përse Nuabueze vë në rrezik serioz jetën e tij, nëse ka vërtet probleme të tilla.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"