“E shqetëson edhe Idrizin”, ish-i Abilaliaj flet për sulmin e Flamurtarit: Duhet kompletuar, gati ta ndihmoj në çdo mënyrë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2022 | 23:36

“E shqetëson edhe Idrizin”, ish-i Abilaliaj flet për sulmin e Flamurtarit: Duhet kompletuar, gati ta ndihmoj në çdo mënyrë

Në 4 ndeshje, 6 gola të shënuar. Është ky bilanci i Flamurtarit në miqësoret e verës dhe kjo statistikë nuk i përshtatet aspak nivelit e misionit që klubi ka. Këtë mendim ka edhe Arbër Abilaiaj, ish-sulmuesi i kuqezinjve. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport” thotë se duhet ndërhyrë urgjentisht në ofensivë. Ai zbulon edhe bisedën e fundit me administratorin Sinan Idrizi në lidhje me këtë temë.

Abilaliaj

Flamurtarit u ngjit në Kategorinë e Parë dhe tashmë ka mision elitën. I realizueshëm?
I ndjek zhvillimet te Flamurtari, edhe pse nuk jetoj në Vlorë. Më vjen mirë që ikën nga inferiorja. Derisa po bëhet merkato e rëndësishme për Kategorinë e Parë dhe skuadra ka lojtarë të eksperiencë brenda, mendohet se do të ketë ende prurje në ekip. Besoj se do të jetë një nga skuadrat kandidate për Superiore.

Çfarë i mungon momentalisht ekipit?
Nëse kompletohet ekipi me 2-3 lojtarë të rëndësishëm, them se është një mision që do të arrihet.

U ruajt grupi, si e gjykoni vendimin e klubit?
Ruajtja e grupit është pozitive dhe një ogur i mirë për të bërë hapa të rëndësishëm përpara. Ruajtja e grupit plus merkatoja janë faktorë të domosdoshëm për të synuar më tej. Lojtarët e njohin njëri-tjetrin, loja është automatizuar. Po ashtu ardhjet do të kenë më pak nevojë në kohë për përshtatjen me grupin që nuk ka ndryshuar.

Në 4 ndeshje miqësore janë shënuar vetëm 6 gola. Nëse do të ishin luajtur ndeshje kampionati, si e vlerësoni këtë ecuri dhe a ju duket se çalojnë në sulm?
Po flas me statistikë. Në fakt duhet të ketë diçka më shumë për një ekip si Flamurtari që pretendon. Flasim për një ekip që nuk duhet ta diskutojë ngjitjen, por di që është përqendruar vëmendja në repartin ofensiv.

Ju po thoni se nuk kanë gjë në vijë nëse nuk forcohen në sulm…?
Është e domosdoshme që të kompletohet reparti ofensiv. Nga biseda e fundit që kam bërë me administratorin Sinan Idrizi, synimi është që të kompletohet sulmi, pasi për shkak të dëmtimeve dhe ndonjë lëndimi reparti është boshatisur.

Kategoria e Parë do të jetë një garë e fortë këtë sezon apo jo…?
Për mendimin tim, ky është sezoni i parë që kjo kategori bëhet më e vështirë se çdo herë tjetër. Patjetër që do ta këtë të vështirë Flamurtari, por thashë që nëse kompletohet siç duhet në sulm, besoj se do të jetë absolutisht konkurrent i fortë për të marrë garën. Ka ekipe të forta si Skënderbeu, Dinamo apo Apolonia që ka vite që është në ato ujëra. Pra, ka ekipe të rëndësishme dhe nuk do të jetë aspak e lehtë.

abilaliaj-700x470 (1)

Thatë se jeni takuar me Idrizin, keni pasur ndonjë ofertë prej tij për t’u rikthyer në klub?
Jemi miq me njëri-tjetrin. Diskutojmë dhe flasim për Flamurtarin. Nuk ka nevojë që të mbuloj një post të caktuar. Në momentin që diskutojmë për të mirën e klubit unë jap mendimet apo ndihmën time në çdo aspekt, pa qenë nevoja për të pasur një detyrë. Në një të ardhme edhe mundet. Për momentin jam fokusuar në agjencinë sportive që punoj, e cila është në nivele shumë të larta dhe kryesisht në tregun e huaj. Kështu që jemi takuar miqësisht dhe nuk më pengon ta ndihmoj Flamurtarin në çdo pozitë. Flasim si miq, e ndihmoj me dëshirë dhe me këshilla. Me sa kam folur, Idrizi është i interesuar për ndërtimin e një ekipi dinjitoz dhe me financa të shëndosha. Më bëhet zemra “mal” kur Flamurtari bëhet mirë. Është kënaqësi e dyfishtë, pasi nuk i takon të jetë në ato pozita. Me problemet dhe vështirësitë që ka kaluar. Qoftë me kaq.

Do ta ndihmoni Flamurtarin me lojtarë nëpërmjet agjencisë tuaj?
Me çdo gjë dhe çfarë do që kemi në dorë. Unë nuk jetoj në Vlorë, nuk takohem shpesh me Idrizin, por kur takohemi, flasim se çfarë mund të bëhet më mirë për ta ndihmuar Flamurtarin.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"