E rrallë te Partizani, të kuqtë nisin përgatitjet me portën të… boshatisur

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 10, 2019 | 11:06

E rrallë te Partizani, të kuqtë nisin përgatitjet me portën të… boshatisur

Partizani rikthehet në fushë pa pasur në dispozicion asnjë portier në stërvitje. Nuk kishte ndodhur kurrë më parë që për arsye të ndryshme, asnjë nga tre portierët në dispozicion të mos ishte i pranishëm.

partizani

Dje në kompleksin “Internacional” në Pezë-Helmës, kampionët në fuqi kanë zbritur në fushë me shumë mungesa, por ajo që binte në sy ishte fakti se të tre portierët: Alban Hoxha, Aldo Teqja dhe Livio Malaj, nuk ishin të pranishëm.

Dihet tashmë problemi i Teqjes, ndërsa Hoxha dhe Malaj janë të grumbulluar respektivisht me Kombëtaren A dhe atë U-19. Një rastësi e çmendur, duke lënë pa fjalë stafin teknik të të kuqve, që e ka pasur të pamundur të stërvitet në kushte loje gjatë ditës së djeshme, sepse në portë nuk kishte asnjë të gatshëm.

alban hoxha

Duke filluar nga sot, pritet që ekipit të parë t’i bashkohet portieri i të rinjve, Xhameta, për të plotësuar këtë repart, deri në rikthimin e Hoxhës dhe Malajt. Ky i fundit tashmë do të jetë portieri rezervë, pasi Teqja do të qëndrojë për një kohë të pacaktuar jashtë fushave.

aldo teqja

Ndërkohë, sa u përket mungesave të tjera, në seancën e djeshme ishin pikërisht mbrojtësi i majtë Lorenc Trashi dhe sulmuesi Brajan Braun, të cilët gjithashtu janë të grumbulluar me kombëtaret, respektivisht me kuqezinjtë dhe Xhamajkën. Të kuqtë do të vazhdojnë sot përgatitjet sërish në Pezë në orën 09:00 me një grup të cunguar. Ndeshja e radhës është ajo ndaj Vllaznisë më 19 tetor, teksa mungesa e sigurt është Aristoteles Romero.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"