E quajti shok “tradhtarin” Higuain, Elseid Hysaj tërbon napolitanët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 30, 2017 | 10:25

E quajti shok “tradhtarin” Higuain, Elseid Hysaj tërbon napolitanët

Elseid Hysaj pati një shqetësim në miqësoren e Kombëtares ndaj Bosnjë-Hercegovinës, prandaj në kampin napolitan është ngritur menjëherë alarmi. Fakti që 23-vjeçari është një nga të pazëvendësueshmit e trajnerit Mauricio Sarri bën që dëmtimi i shkodranit të jetë një problem jo i vogël në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndonëse sot do të mësohet një përgjigje më e detajuar rreth Hysajt.

“Për të kuptuar rëndësinë e problemit tim do të më duhet t’u nënshtrohem analizave mjekësore, të cilat do të thonë diçka më shumë në lidhje me dëmtimin. Unë shpresoj që të mos kem asgjë serioze, sepse dua të jem në fushë me çdo kusht kundër Juventusit”, deklaroi Hysaj pas ndeshjes së të martës.

Hysaj - Higuain Napoli

Pikërisht në lidhje me sfidën e dyfishtë kundër bardhezinjve, fillimisht në kampionat dhe më pas për gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Italisë, Elseid Hysaj, skuadra dhe e gjithë tifozeria e Napolit do të presin si kundërshtar Gonzalo Higuainin. Por, nëse për pjesën më të madhe ai shihet si “tradhtari”, shqiptari nuk e mendon në këtë mënyrë.

“Se si do ta presin tifozët Gonzalon, kjo është një çështje që u përket atyre. Ndërsa për mua si futbollist – por jam i bindur që edhe për shokët e mi te Napoli – Higuain do të pritet si një shok, si një mik”, u shpreh mbrojtësi shqiptar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"