E quajti kone, Mërgjyshi i kthehet Gjylës: Fjalor “cubash”, përgjigjen ia dhashë në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 10, 2020 | 10:49

E quajti kone, Mërgjyshi i kthehet Gjylës: Fjalor “cubash”, përgjigjen ia dhashë në fushë

Vijojnë debatet në distancë mes lush njarëve dhe fierakëve, pas ndeshjes që i siguroi edhe ngjitjen Apolonisë. Përplasjet mediatike kanë qenë të ndezura gjatë gjithë kohës, e megjithatë më i ashpër është shfaqur trajneri i Lushnjës. Ilir Gjyla pasi përdori moralin fabulesk “Peshku i madh e ha të voglin” dhe foli me siguri sa paguhen lojtarët e Apolonisë, në takimin e luajtur së fundmi iu “vërsul” homologut të tij, Artan Mërgjyshi. Mes tyre ka pasur fyerje verbale të ndërsjella gjatë lojës, por nuk u mjaftua me kaq. Në një intervistë të dhënë në numrin e 9 korrikut për “Panorama Sport”, ai e cilësoi teknikun e fierakëve si një “kone” që mburret me të tjerët.mergjyshi

REAGIMI I MËRGJYSHIT

Ne kontaktuam me Artan Mërgjyshin, i cili e ruan qetësinë dhe etikën civile, pavarësisht fyerjes së rëndë që i ka bërë homologu i tij lushnjar. “Kisha vendosur që të mos merresha më me deklaratat e të tjerëve, por nuk qenka e thënë, – ia nis për gazetën tonë trajneri i Apolonisë. – Se cili është Artan Mërgjyshi dhe cili është Ilir Gjyla, çfarë vlerash ka njëri apo tjetri, nëse janë teknikë të mirë apo jo, këtë e dinë klubet, skuadrat ku kemi punuar, lojtarët që kemi kaluar nëpër duar, rezultatet e secilit ndër vite dhe gjithë opinioni sportiv di të gjykojë dhe të vlerësojë njërin apo tjetrin”. Dhe më tej vjen një reagim më i drejtpërdrejtë ndaj kolegut të tij, ku Mërgjyshi evidenton më së shumti “përgjigjet” në fushë dhe ecurinë e dy skuadrave që drejtojnë. “Unë nuk e kam etikë që të hedh baltë mbi punën e askujt, jo më të përdor fjalë fyese apo fjalor ‘cubash’ ndaj kolegëve apo kujtdo tjetër, por ama nuk mund të hesht kur të tjerët sulmojnë kaq pistë.

Përgjigjen time ia kam dhënë në fushë, me lojë dhe me fitore, madje duke ia kthyer dhe ‘reston’ që meritonte me fjalë, paçka se nuk është në natyrën time. Po ju them se, çfarëdo që të shprehet personi në fjalë këtej e më pas, as që kam për t’u marrë më me të, jua siguroj. A, nëse ai ka gjë personale, atëherë le ta zgjidhë personalisht me mua, jo në media me gjuhë rruge. Ne përbëjmë institucionin e trajnerit, duhet të kemi modelin tonë, por, gjithsesi, secili përfaqëson vetveten. Unë nuk di të çirrem e të ulërij, të ngre zërin kot sa për të bërë ‘shou’. Protagonizmi nuk bëhet me fyerje në gazeta e TV, por me rezultate në fushë.mergjyshi

Ja, aty e gjen përgjigjen ai kolegu im. Në aspektin profesional, gjithçka është e qartë: Apolonia fitoi në Fier dhe brenda në Lushnjë; pikët, diferenca, loja, arritjet janë evidente dhe nuk po bëj komente të tjera në këtë aspekt. Dhe tani më duhet të mendoj për ndeshjen e radhës, mjaft u morëm me atë që mbeti pas”, ka përfunduar trajneri i bardhejeshilëve.

SI NISI PËRPLASJA

Përplasja verbale mes dy teknikëve erdhi në një moment kur trajneri Artan Mërgjyshi i kërkoi gjyqtarit të ndëshkonte një futbollist lushnjar me karton të verdhë për lojë të rrezikshme. Në këtë çast Ilir Gjyla ka fyer kolegun e tij të Apolonisë dhe ky i fundit ia ka kthyer me të njëjtën gjuhë. Gjithçka ndodhi të dielën që lamë pas, në stadiumin “Roza Haxhiu”, ku Apolonia fitoi 1-2 përballë Lushnjës dhe siguroi ngjitjen në Kategorinë Superiore.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"