E “pushtuar” prej 3 dekadash, sa shumë të huaj te Tirana. Afrime nga çdo kontinent për 10 tituj kampion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 19, 2019 | 23:01

E “pushtuar” prej 3 dekadash, sa shumë të huaj te Tirana. Afrime nga çdo kontinent për 10 tituj kampion

Tirana është e “pushtuar” nga të huajt. Prej gati tri dekadash, në kryeqytet kanë shkelur jo pak lojtarë ekstrakomunitarë. Pas një hulumtimi të bërë nga “Panorama Sport”, rezulton se janë afruar plot 77 futbollistë nga thuajse çdo kontinent.

Tirana stervitje

Shpërndarja është e larmishme, duke filluar nga Burundi, Hungaria, Bolivia, Bahamasi apo edhe Japonia. Në vitet e fundit dukshëm dominojnë afrikanët. Ky treg është preferuar në masë dhe kjo kuptohet qartazi prej shifrave, pasi vetëm nga ky kontinent janë plot 32 lojtarë. Disa kanë shkëlqyer dhe të tjerë kanë rezultuar një zhgënjim më vete.

Shpeshherë e kanë “zhytur” klubin financiarisht, por ka ndodhur edhe që mbushin arkat. Edhe pse kanë zyrtarisht 10 vite që nuk e fitojnë një titull, në dy dekadat e mëparshme suksesi ka qenë i padiskutueshëm. Janë marrë 10 kampionate në total që pas ’90-ës. Ajo që bie në sy, është fakti në këtë listë të stërgjatë ka vetëm dy portierë. I pari është nigeriani Emanuel Egbo (që ka ardhur në 2001-shin dhe sot e kësaj dite është trajner portierësh te Tirana), që ka fituar edhe trofe, ndërsa i dyti maqedonasi Pece Korunovski në sezonin 2009-2010. Më nostalgjikët mund të mbajnë mend edhe katërshen e famshme hungareze të sezonit 1999- 2000. Me kalimin e viteve shumë erdhën dhe ikën sa hap e mbyll sytë, rasti tipik është ai i Mahmud Al Ajmit.

231

Dhe jo se i mungonte cilësia, por fantazisti u zhgënjye pasi nuk e gjeti Europën në Shqipëri. Kishte nga ata që erdhën vetëm për rrogën, pasi kurrë nuk shkëlqyen. Jo të pakta janë rastet kur Tirana është detyruar që të shkojë në FIFA apo UEFA për shkak të padive. Shifra marramendëse për të shlyer, por edhe penalitete. Kështu ndodhi me Martin Kavdanskin, i cili dogji merkaton e janarit të 2017-ës për 5 mijë euro (para që, në fakt, drejtuesit i paguan, por me vonesë). Ka pasur edhe nga ata që janë shqiptarizuar, siç është rasti i Emanuel Egbosë, por edhe serbit Ivan Govedenoviç apo Pero Pejiçit, që jetuan për vite me radhë në tokë shqiptare. Por, ka edhe nga ata, si Gilberto Fortunato, që vazhdon të mbahet mend si lojtari që dha fitoren e fundit në derbi apo Merveil Ndokyt që mbushi “arkën” e klubit me 400 mijë euro pas shitjes te Getafe.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"