E provokuan me thirrje për De Biazin, ja si 600 tifozë tërbuan trajnerin Panuçi në Francë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 4, 2018 | 23:23

E provokuan me thirrje për De Biazin, ja si 600 tifozë tërbuan trajnerin Panuçi në Francë

Nga thirrjet për mbështetje të ishtrajnerit Xhani De Biazi te kontestimet dhe kërkesat për largim nga Kombëtarja shqiptare. Tifozët kuqezi tërbuan dje Kristian Panuçin, duke e detyruar të ndërpriste lidhjen direkte pas ndeshjes për platformën “SuperSport”.

34268679_1626905204075369_2927034815112806400_n-499x280

Rreth 600 shqiptarë kishin mbushur të vetmen tribunë të stadiumit modest të Eviansit, duke krijuar një atmosferë të mrekullueshme. Mirëpo, pasi mbështetën deri në fund Kombëtaren dhe u zhgënjyen pa masë nga paraqitja e lojtarëve, tifozët nisën të kontestonin Panuçin. “Panorama Sport” mëson se pa u mbyllur ende ndeshja, thirrjet që u dëgjuan më shumë ishin: “De Biazi! De Biazi!”.

Natyrshëm, hija e italianit që bëri histori me Shqipërinë, duke e kualifikuar në Europianin e vitit 2016 në Francë, po e përndjek tashmë Panuçin. Sigurisht që ky i fundit nuk mund të fitojë kaq shpejt zemrat e tifozëve, për më tepër që as rezultatet në miqë- sore nuk po i japin të drejtë.

Dukshëm të dëshpëruar, tifozët shpërthyen kur gjyqtari vërshëlleu përfundimin e takimit. Ata fillimisht kontestuan lojtarët, ndërsa pritën që të dilte nga tuneli i dhomave të zhveshjes trajneri Panuçi. Menjëherë pasi italiani nisi të fliste për “SuperSport”, thirrjet e një grupi tifozësh afër tij ishin “Ik!, Ik!, Shporru!”. Madje pati edhe fyerje në gjuhën italiane. Kjo situatë bëri që ai të linte në mes intervistën dhe të largohej për të mos precipituar situata. Në stadiumin e Evians dje ishin më shumë tifozë shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej vitesh në Francë dhe shtetet e tjera europiane.

REZULTATET

Kristian Panuçi erdhi me pritshmëri të mëdha në pankinën kuqezi, por edhe me premtimin se do të formonte një ekip që synon rezultate duke sulmuar. Mirëpo, deri më tani, Shqipërisë i mungojnë rezultatet, ndërsa për skuadër ofensive duket e vështirë të flitet, pasi barometër nuk mund të merret vetëm një triumf në miqësoren ndaj Turqisë. Panuçi e ka drejtuar deri më tani Kombëtaren në 8 ndeshje, duke regjistruar 5 humbje, 1 barazim dhe vetëm 2 fitore. Kuqezinjtë kanë realizuar 7 gola dhe kanë pësuar 15 herë. Pra, me një mesatare dy gola të pësuar për ndeshje. Tashmë italiani dhe Kombëtarja kanë humbur tifozët dhe kthesa e vërtetë mund të quhet nëse vjen në ndeshjet e Ligës së Kombeve.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"