“E pres me emocione!”, Klasikja ndaj Tiranës, flet Mirel Josa: Vllaznia ka marrë rezultat në “Selman Stërmasi”, Latifi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2022 | 12:00

“E pres me emocione!”, Klasikja ndaj Tiranës, flet Mirel Josa: Vllaznia ka marrë rezultat në “Selman Stërmasi”, Latifi…

Në vigjilje të “Klasikes” të futbollit shqiptar ndaj Tiranës, nesër në orën 16:00, në stadiumin “Selman Stërmasi”, në konferencën për shtyp është shfaqur trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa, i cili ka analizuar këtë ndeshje për kuqeblutë:

JOSA

Ndeshja ndaj Kukësit – “Fitorja e qetëson skuadrën shumë, qetëson ambjentin, më qetëson mua si trajner. Duke parë rrjedhojën e ndeshjes me Kukësin, ishte një sfidë që mund të mbaronte shumë më keq. Ishte një ndeshje që mund ta barazonim, ose ta humbsnim në minutën e 88′. Duke pasur parasysh një skuadër që luajti për rreth 60 minuta duke qenë e përqendruar, ky është problemi ynë kryesor. Nga minuta e 60 duhej të ishim të kujdesshëm, kishim dhe ne rastet tona si me Jonuzin dhe me Latifin, ne duhej ta çonim rezultatin në 2-0 dhe do të flisnim komplet ndryshe. Këto janë mësime që duhen nxjerrë që ne të rikuperojmë sa më shpejt. Problem fizik kishte, por problemi ishte se si ne duhet t’i neutralizojmë aksionet e kundërshtarit. I falënderoj të gjithë specialistët për vërejtjet që i kanë bërë skuadrës, sepse futboll pa gabime nuk ka. ”

Latifi – “I vetmi lojtar që nuk është në lojë do të jetë Latifi, nga i cili po presim përgjigjet e ekzaminimeve mjekësore dhe ndodhet në Kosovë. Ka bërë rezonancë magnetike dje dhe deri ditën e hënë nuk do të dalë në stërvitje. Problemi i tij është hematoma, ku e ka shumë të zhvilluar në zonën e pulpës. Nuk e di sesa do të zgjasë dëmtimi i tij.”

Konsolidimi i skuadrës – “Unë dua konsolidimin e skuadrës dhe për të bërë sa më pak gabime çdo ndeshje. Do të hidhemi në fushë ndaj Tiranës me një skuadër solide, futbolli i ka të treja rezultatet. Pavarësisht lëvizjeve, kemi treguar se jemi një skuadër me soliditet, një ekip që di të marrë rezultat, kjo shihet nga kualiteti i lojtarëve edhe nga mënyra e lojës.”

Sfida ndaj Tiranës – “E pres me emocione këtë takim. Nuk është problemi si do ta pres unë këtë ndeshje, por futbollistët dhe çfarë objektivash kanë ata për këtë sfidë. Unë këtë duel do ta konsideroja një ndeshje ndaj Tiranës në shtëpinë e tyre, në ‘Selman Stërmasi’, gjë që Vllaznia ka ditur të marrë rezultat edhe herë të tjera. Ndryshimi i stadiumit nuk ka ndonjë problem.”

Ndryshimi i stadiumit – “Kam biseduar dhe di që gjendja e fushës është shumë e mirë dhe nuk ka asnjë problem.”

Merkato – “Jemi më të përqendruar me këto lojtarë që kemi marrë sepse edhe shumë të tjerë kanë qenë pretendentë për ardhur në ekip.”

Superkupa – “Në kampionat është problem tre pikëshi, Superkupa nuk ka pikë. Superkupën e kemi lënë për përpara Vitit të Ri.”, përfundoi Mirel Josa.

BRIAN KRISTO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"