E PLOTË/ Vlonjati Daniel Xhafaj: Teuta për Europë, bën futbollin më të bukur. Në fundjavë tifo për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 25, 2018 | 23:05

E PLOTË/ Vlonjati Daniel Xhafaj: Teuta për Europë, bën futbollin më të bukur. Në fundjavë tifo për…

Teuta është gati për derbin bregdetar me Flamurtarin. Në prag të kësaj ndeshjeje, skuadrën durrsake e “skanon” një prej golashënuesve më të mirë të saj në dy dekadat e fundit, pikërisht Daniel Xhafaj. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ish-bomberi që prej dy vitesh jeton në SHBA, foli për fazën e parë dhe ndeshjen e së shtunës në Vlorë.

daniel xhafaj teuta

Daniel, si një ish-futbollist që keni lënë gjurmë në historinë e Teutës, si e vlerësoni sezonin e “djemve të detit” deri më tani?

Është gjithmonë një emocion i veçantë për të kujtuar kohën time te Teuta. E kam ndjekur këtë sezon dhe me bindje mund të them që ka zhvilluar një fazë të parë të mirë, pavarësisht disa lëkundjeve, që çdo skuadër i has gjatë garës. Gjithashtu, shoh që në çdo ndeshje ka dhuruar një lojë të bukur dhe tërheqëse, duke marrë dhe rezultatet që janë në fund fryti i punës së gjithë skuadrës.

Pra, ju bind kjo skuadër në këtë fillim të sezonit?

Pa dyshim, por ka nevojë për disa përmirësime dhe besoj se djemtë do arrijnë të rikuperojnë që të sjellin një ekip shumë herë më kompakt. Deri tani kanë treguar karakter, një lojë me intensitet dhe sulmuese.

Objektivi i klubit është pjesëmarrja në Kupat e Europës. E shikoni Teutën me potencialin e duhur për t’ia arritur këtij qëllimi?

Me shumë punë dhe dëshirë, gjithçka mund të arrihet. Skuadra u përgjigj shumë mirë kur kishte nevojë për rezultate dhe tani është pranë vendit të tretë. Ndonëse është herët, sepse jemi vetëm në fundin e fazës së parë, shoh një skuadër që po e kërkon shumë ta arrijë qëllimin e saj dhe them se në fund do të shpërblehen për ta rikthyer Teutën në Kupat e Europës dhe për të harruar sezonin e kaluar që nuk shkoi fare mirë.

Çfarë do t’i ndryshonit Teutës?

Në skuadër ka shumë konkurrencë dhe kjo i bën mirë, pasi të gjithë punojnë fort për vendin e tyre. Teuta ka futbollistë të rinj, por edhe lojtarë, të cilët kanë eksperiencë dhe e kanë ndihmuar të marrin rezultate. Për sa u përket ndryshimeve, nuk mund të them diçka konkrete përderisa skuadra jep më të mirën e saj dhe e sheh veten në lojë për objektiva madhorë. Këtë është diçka që e vlerëson vetë klubi. Më bëhet shumë qejfi që Teuta ka afruar edhe emra si Bledar Mancaku dhe Bledar Hodo në akademinë e saj. Kjo e ndihmon me sjelljen e talenteve në ekipin e parë.

Teuta e fazës së parë tregoi se vuan shumë jashtë fushe, vetëm në javën e fundit fitoi ndaj Laçit…?

Teuta është një skuadër që u ndërtua rrënjësisht këtë sezon dhe pësoi shumë ndryshime, duke nisur nga stoli e deri te formacioni bazë, e kështu me radhë. Pra, gjithçka kërkon kohën e vet, ambientimin dhe përshtatjen e të gjithëve për t’u sinkronizuar sa më mirë në fushën e lojës. E vërtetë që fitorja e parë erdhi pas shumë ndeshjeve dhe them se tani skuadra e ka hedhur pas krahëve këtë gjë.

Ju keni qenë një sulmues që marrëdhënien me golin e keni pasur të shkëlqyer. Si e vlerësoni ecurinë e Latif, që ka shënuar shtatë gola në nëntë javë?

Latif e ka treguar shumë mirë veten. Ai e ka kaluar atë pjesën e përshtatjes me ekipin, që ndoshta kishte në sezonin e kaluar. Shoh që ka shumë cilësi të mira dhe këtë e tregon edhe fakti që ai është golashënuesi më i mirë në kampionat dhe që ka ndihmuar gjithmonë ekipin me gola vendimtarë. Fundja sulmuesi jeton për golin. Kjo e ndihmon atë në aspektin personal shumë kur marrëdhënia me golin është e mirë dhe e vazhdueshme.

Flamurtari-Teuta të shtunën, si e shihni këtë takim?

Është një ndeshje shumë e veçantë dhe interesante. Gjithmonë ka qenë një ndeshje e fortë, me shumë rivalitet, pavarësisht ecurisë, formës apo objektivave. Ky takim gjithmonë ka dhuruar shumë emocione dhe mbetet një ndeshje speciale në kampionatin tonë sepse janë dy ekipe me traditë dhe shumë histori në Shqipëri. Shpresoj që ta vazhdojnë traditën dhe të dhurojnë një ndeshje të bukur e me ritëm.

Për cilin ekip do të bëni tifo?

Te Flamurtari unë jam rritur dhe jam formuar si futbollist. Është pa dyshim vendlindja ime, qyteti im, ku ruaj kujtime të mëdha nga ajo kohë dhe ato vite. Ndërsa, te Teuta përjetova emocione të mëdha dhe u rrita shumë profesionalisht, duke bërë karrierë tek ai klub. Nuk bëj dallime midis dy klubeve, thjesht u uroj suksese të dyjave.

Anarildo Alia

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"