E PLOTË/ Tirana pa frena, gjen sulmues në Argjentinë. Plotësohet dëshira e Ze Marias

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2018 | 22:44

E PLOTË/ Tirana pa frena, gjen sulmues në Argjentinë. Plotësohet dëshira e Ze Marias

Tirana merr një qendërsulmues. Bëhet fjalë për argjentinasin Ugo Karabeli, i cili që dje ka qenë në Tiranë dhe ka dalë në stërvitje me bardheblutë. Duket se Tirana nuk ndalet në merkato. Duke parë që skuadra ka mungesë sulmuesish dhe Majkëll Ngo nuk është gati, Tirana ia del të marrë një tjetër sulmues. Quhet Lucas Jeremias Ugo Karabeli. Është nga Argjentina, por ka edhe me pasaportë italiane.

Luan si qendërsulmues dhe për disa ditë do të jetë në provë te bardheblutë. Lojtari është afruar me rekomandime të trajnerit Ze Maria. Ai është 24 vjeç, 1.87 metra i gjatë si dhe luan në qendër të sulmit, siç dëshiron dhe trajneri brazilian. Lojtari, dje ka qenë në stërvitje dhe do të vazhdojë punën me ekipin, derisa të firmosë një kontratë me ekipin bardheblu apo të kthehet në shtëpi.

ugo karabeli

KARRIERA

Futbollisti argjentinas vjen nga kampionati i Venezuelës, ku ka luajtur deri para pak kohësh. Mes kupës dhe kampionatit, argjentinasi është aktivizuar 13 ndeshje. Po kështu, këtë sezon argjentinasi ka koleksionuar 655 minuta lojë, duke shënuar tre gola. Lojtari pritet të jetë lider në sulm, por më parë duhet të kalojë testin, pasi në karrierën e tij vitet e fundit, nuk ka shënuar më shumë se pesë gola.

Karabeli është sulmuesi i radhës, i cili afrohet në skuadër. Para dy ditëve ai që u afrua në ekip ishte futbollisti tjetër i huaj, Gideon Ofei, i cili prej dy ditëve është bashkuar me Tiranën në stërvitje, por në fushë nuk ka treguar asgjë. Gjithsesi, me afrimin e Karabelit, numri i të huajve të ardhur vetëm këtë verë ka shkuar në katër, duke mos llogaritur Blazhevsin apo Berishën, të cilët vijnë nga Maqedonia dhe konsiderohen, jo lojtarë të huaj. Karabeli shpresohet të sjellë golat dhe lojën e munguar në qendër të sulmit bardheblu.

PORTIERI

Pas gjetjes së sulmuesit, te Tirana kërkojnë edhe portier. Mësohet se klubi është në negociata me disa gardianë shqiptarë dhe të huaj, por akoma nuk ka vendosur, se cilin emër do të marrin në ekip. Klubi kërkon një të ri të talentuar, i cili të pranojë stolin, por edhe të jetë gati për të luajtur titullar në Kategorinë Superiore. Nga ana e trajnerëve është duke u parë çdo opsion i mundshëm për bardheblutë. Besohet se deri në fillim të kampionatit, nga ana e Tiranës do të jetë gjetur futbollisti në fjalë.

Në fakt, ishte Ze Maria ai që të dielën në mbrëmje kërkoi me urgjencë një portier. Shkak është bërë gjendja jo e mirë e Ilion Likës, i cili ka pasur disa probleme në shpinë dhe prej ditësh nuk është stërvitur me grupin. Shpresohet që Ilion Lika të jetë i gatshëm për fillimin e sezonit, ndonëse vazhdon të ketë probleme në shpinë. Ze Maria do të sigurojë veten dhe ekipin e të ketë edhe një portier tjetër me eksperiencë në Superiore, veç Likës e Abibit, për t’i bërë ballë një kampionati të gjatë dhe të lodhshëm siç është ai i Superiores.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"