E PLOTË/ Skandali me transferimin e Çinarit, ish-administratori Vllaznisë: Ja e vërteta

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2018 | 22:50

E PLOTË/ Skandali me transferimin e Çinarit, ish-administratori Vllaznisë: Ja e vërteta

Astrit Gjyrezi, ishadministratori i Vllaznisë, ka reaguar për çështjen e futbollistit Eraldo Çinari. Bashkia e Shkodrës e ka çuar në prokurori çështjen, duke pretenduar se nuk ka dhënë asnjë lejekalimi për transferimin e futbollistit te klubi spanjoll i Alaveshit.

Administratori aktual, Suad Lici, thotë se ky është një mashtrim si nëpër filma dhe se përgjegjësit duhet të përballen me ligjin, ndërsa familja e Çinarit është e bindur se miratimi për transferimin e tij është bërë nga zyrat e klubit. Ish-administratori Astrit Gjyrezi, në një intervistë për “Panorama Sport”, mohon të ketë dhënë një lejekalimi për Çinarin dhe për cilindo futbollist tjetër.

astrit gjyrezi

Gjyrezi, çfarë ka ndodhur me Çinarin?

Nuk e di çfarë ka ndodhur me të. Unë kam dhënë dorëheqjen më 31 korrik nga posti që mbaja dhe prej datës 1 gusht nuk kam dijeni se çfarë ka ndodhur.

A keni firmosur ju për largimin e Çinarin nga Vllaznia drejt klubit spanjoll të Alaveshit?

Asnjëherë. Kam dëgjuar shumë rreth kësaj çështjeje, madje ka pasur edhe spekulime apo aludime se diçka nga ndodhur nga zyrtarë të klubit apo nga vetë bashkia. Janë përpjekur ta tjerrin aq shumë këtë çështje, duke lënë të kuptohet se unë mund të jem i përfshirë, por kjo është thjesht dashakeqësi.

Klubi i Alaveshit ka bërë të ditur se leja e kalimit të Çinarit është dhënë nga drejtuesit e vjetër…

Këtu ka një keqkuptim. Vllaznia nuk ka drejtues të vjetër dhe të rinj. Klubi ka një bord drejtues që ka qenë gjatë gjithë kësaj kohe dhe vazhdon të jetë. Në komunikatën e Alaveshit nuk thuhet “administratori”, por drejtuesit “e vjetër”. Në këtë pikëpamje unë mendoj se është bërë një keqinterpretim edhe nga media. Unë e përsëris se si ish-administrator nuk kam lidhje me këtë gjë.

cinari2

A ju ka kërkuar Çinari largimin gjatë kohës që ju drejtonit klubin?

Po, e ka kërkuar largimin, por unë nuk e kam firmosur këtë. Më pas kam dhënë dorëheqjen dhe nuk e di çfarë ka ndodhur. Dorëheqja ime është e protokolluar dhe mund të vërtetohet lehtësisht.

Po si ka mundësi që ai ka marrë lejen e kalimit dhe familja thotë se kjo është bërë nga klubi?

Nuk e kam idenë. Unë kam qenë jashtë këto ditë dhe e kam ndjekur çështjen vetëm nga mediat. Por gjithsesi, nuk më takon të flas më shumë. Bashkia ka bërë mirë që e ka çuar çështjen në prokurori. Mendoj se kjo është rruga që duhet ndjekur në të tilla raste.

Ju a ndieni ndonjë përgjegjësi që krijohet një situatë e tillë për klubin që e keni administruar deri pak kohë më parë?

Në aspektin sportiv, unë i mora përgjegjësitë e mia. Kam dhënë dorëheqjen menjëherë sapo përfundoi sezoni. Pastaj, nëse ndodh një rast si ky, ku ka dyshime për mashtrim, atëherë secili mban përgjegjësi për veprimet që ndërmerr. Unë nuk kam asnjë përgjegjësi në këtë rast, sepse jo më kot e kam dhënë dorëheqjen me shkrim më 31 maj.

Çfarë domethënie ka kjo? Pse përmendni datën 31 maj?

E përmend për t’iu përmbajtur fakteve. E përmend edhe për t’ju treguar se qëllimi ishte, pra, që nga data 1 qershor, klubi të mund të vepronte sipas projektit të ri që do të hartonte dhe të mos bëhesha unë pengesë për asgjë.

A ka pasur ndonjëherë klubi Vllaznia llogari bankare jashtë Shqipërisë?

Asnjëherë. Për sa kohë unë kam qenë administrator, Vllaznia nuk ka pasur asnjëherë llogari bankare jashtë Shqipërisë.

Kush mund ta ketë bërë gjithë këtë “film”? Me llogari bankare në Itali dhe me firma të falsifikuara?

E përsëris, unë nuk jam prokuror. Nuk e kam idenë se çfarë ka ndodhur dhe nuk mund të them asgjë më shumë. Prokuroria ta zbardhë çështjen, sepse vetëm ajo ka kompetencë të mbajë qëndrime zyrtare.

A ju ka telefonuar gjatë kësaj kohe pasuesi juaj, Suad Lici, për të kërkuar qoftë edhe një informacion shtesë?

Jo, nuk kam pasur komunikim me Licin gjatë kësaj periudhe. Kam qenë edhe jashtë në fakt, por nuk kam pasur asnjë komunikim.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"