E PLOTË/ Replika e Josës: Kolën e ndihmoi vjehrri im për shkollën, babai im i mjekonte djalin kur kishte nevojë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2018 | 23:33

E PLOTË/ Replika e Josës: Kolën e ndihmoi vjehrri im për shkollën, babai im i mjekonte djalin kur kishte nevojë

Shpeshherë debati mes dy miqve apo ish-kolegëve bëhet më i ashpër sesa mes dy njerëzve që përplasen rastësisht apo që nuk e njohin njëri-tjetrin. Josa dhe Kola i përkasin “familjes” bardheblu dhe të dy kanë lënë gjurmë në futbollin e viteve ’80, si me fanellën e Tiranës, ashtu edhe me atë të ekipeve kombëtare.

Kujt ia merrte mendja se pas tri dekadash, Josa dhe Kola, ata pra që ngrinin peshë zemrat e tifozëve, do të lëshonin një mori kritikash në adresë të njëri-tjetrit. Ish-sulmuesi këmbëngul se Josa ka përgjegjësi kryesore për rënien e Tiranës nga kategoria një vit më parë dhe është i bindur se Mireli duhej të kishte pasur burrërinë ta linte ekipin kur u pa qartë se çfarë po luhej në kurriz të tij, të skuadrës dhe të emrit të madh të Tiranës. Josa nga ana tjetër nuk heshti, por replikoi sipas stilit të Agustinit: ashpër dhe qartë.

Josa-Kola

“Gjej ndonjë skuadër dhe bëj ndonjë punë që të të shohim se sa vlen”, ishte mesazhi i Josës për ish-shokun e skuadrës dhe ish-ndihmësin e tij te Tirana në rolin e trajnerit. Kola nuk u tërhoq dhe i kujtoi Mirelit se nuk ishte as bir komunisti dhe as nuk e kishte pasur vjehrrin trajner për të ecur përpara. Qartazi e kishte kunj për faktin se Josa është dhëndër i trajnerit të shquar Shyqyri Rreli. Josa e ka menduar gjatë dje replikën, që sipas tij do të jetë e fundit me Kolën.

REAGIMI I JOSËS

“Unë familjet nuk i kam ngatërruar asnjëherë me ambiciet profesionale. Ai babai im, i cili ka dy vite e gjysmë që ka vdekur, i ka mjekuar djalin personit në fjalë (Kolës) sa herë që ai ka pasur nevojë. Unë di gjithashtu se edhe Shyqyri Rreli, vjehrri im, është kujdesur për të sikur ta ketë pasur djalin e tij. E ka bërë këtë si për futbollin, shkollimin bazë dhe për studimet e larta. Nuk kam kohë të zgjatem më shumë në këtë çështje. Konkluzionet i nxjerrin vetë njerëzit dhe lexuesit kur shohin se çfarë po ndodh”, ka deklaruar Josa dje për “Panorama Sport”.

JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"