E PLOTË/ Presidenti Takaj: Skënderbe i uritur, fitojmë se nuk kemi presion. Ja pse mungova në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2018 | 23:45

E PLOTË/ Presidenti Takaj: Skënderbe i uritur, fitojmë se nuk kemi presion. Ja pse mungova në Vlorë

Skënderbeu i tij vijon të fitojë. Kjo gjendje po e kënaq presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takajn. Edhe këtë herë, numri një i klubit korçar në ka qenë në Vlorë, teksa shpjegon arsyen se përse nuk e ka bërë një gjë të tillë në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”. Ja intervista e plotë me presidentin e korçarëve.

takaj

President, një Skënderbe me shumë ndryshime, por a e kishit menduar që të bënte atë paraqitje në Vlorë?

Ndryshime ka pasur dhe nuk kemi përse ta mohojmë. Ndoshta jemi ekipi që kemi bërë më shumë ndryshime këtë sezon. Sigurisht, kur ka kaq shumë ndryshime, është normale që jo çdo gjë duhet të funksionojë në perfeksion prej fillimit. Kjo, pasi ekipi do kohën e tij. Gjithsesi, Skënderbeu po bën mirë gjithçka deri tani dhe unë jam i kënaqur me këtë ecuri.

Cili është çelësi i suksesit të këtij ekipi?

Nuk ka presion dhe kjo është kryesorja për një ekip. Jemi larg presionit dhe mbi të gjitha lojtarët janë gati që të japin më të mirën. Nuk është se kemi marrë lojtarë pa studiuar terrenin, pasi një pjesë e mirë e tyre kanë qenë këtu dhe kanë jetuar me këtë frymë fitoresh. Mund të them dhe diçka. Ky ekip tani ka më shumë “uri” se ai i kaluari.

Çfarë do të thoni me të mos pasurit presion. Nuk është më objektiv titulli?

Jo, por dua të them që nuk ka ultimatum për ekipin dhe trajnerin, të cilët mund të punojnë të qetë. Kjo bën që lojtarët të jenë gati dhe të japin maksimumin e tyre në çdo takim.

Gjithsesi, kjo ecuri ju bën të jeni në rrugën e titullit?

Ne nuk e kemi mohuar asnjëherë që do të kërkojmë titullin, pasi Skënderbeu është ndërtuar për këtë. Jemi të deklaruar që në fillim se kemi një hap kampioni dhe stof kampioni.

Nxënësi mund mësuesin në Vlorë…

Nuk ka asnjë hakmarrje brenda, pasi situata është më se normale. Nuk ka pasur asnjë inat mes palëve dhe asgjë për t’u hakmarrë. Daja kishte ciklin e tij te Skënderbeu dhe arriti të bëjë mjaft mirë. Tani është në Vlorë dhe Orges Shehi është trajner në Korçë. Kjo do të thotë se gjithkush mendon për punën e tij. Futbolli kështu e ka. Sot fiton njëri, nesër tjetri.

Ju nuk ishit në Vlorë, përse kjo zgjedhje?

E kam shans, prandaj nuk shkova. Në Vlorë, sa herë që nuk kam qenë në stadium, kemi fituar dhe prandaj zgjodha të bëj të njëjtën gjë edhe këtë herë.

Mungonin tifozët korçarë në stadium dhe kjo binte në sy. A keni frikë se e njëjta situatë do të jetë gjithmonë?

Ju e dini që unë jam kundër këtij ndryshimi që është bërë dhe e kam shprehur hapur. Jam kundër largimit të policisë nga stadiumi, pasi në momentin kur gara do të nxehet, gjithçka mund të dalë jashtë kontrollit të policisë private. Është një hap që i largon tifozët nga stadiumet tona, pasi nuk janë më të sigurt. Ne për këtë arsye nuk morëm tifozët tanë në Vlorë, pavarësisht kërkesave të tyre, pasi nuk donim të kishim trazira.

Këtë javë ndaj Tiranës…

Nuk dua ta mohoj që hyjmë në fushë vetëm për fitore. Kemi dhjetë pikë dhe duam të vijojmë kështu.

Plani i akademisë, cilat janë të rejat?

Besoj se gjithçka do të qartësohet me kohën. Ne e nisëm këtë rrugë në momentin e duhur atëherë kur ishin të gjitha kushtet e mundshme për ta nisur. Sapo mbaroi investimi te terrenet vendosëm të çelim këtë akademi dhe po punojmë fort për ta bërë. Infrastruktura është e përshtatshme. Tashmë dhe kemi mundësinë të ecim paralelisht me sukseset e ekipit të madh. Nuk mund të ecnim me dy standarde.

Lajme që vijnë nga KAS a ka?

Jo, për momentin nuk kemi asgjë të re nga KAS, por ne jemi duke punuar së bashku me zyrën juridike. Dhe të jeni të bindur se do të kërkojmë vetëm pafajësi.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"