E PLOTË/ Prapaskenat në KAS, ndizen shpresat e Skënderbeut. Korçarët presin lajmin e madh në dhjetor

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2018 | 23:08

E PLOTË/ Prapaskenat në KAS, ndizen shpresat e Skënderbeut. Korçarët presin lajmin e madh në dhjetor

Gara në kampionat mund të quhet pozitive për Skënderbeun, edhe pse pas humbjes së fundit dorëzoi kryesimin. Megjithatë, beteja më e rëndësishme mbetet ajo që po zhvillohet në KAS. Dënimi i dhënë nga UEFA për përjashtimin e Skënderbeut për 10 vite nga gara europiane dhe 1 milion euro gjobë po mban në ankth klubin, edhe pse shpresat për të fituar pafajësinë nuk janë zbehur.

cas-Lausanne

Pritja e stërzgjatur duket se po shkon drejt fundit dhe ndoshta kjo histori mund të mbyllet në muajin e fundit të këtij viti. Në pritje që të nisë gjykimi në Arbitrazhin e Lozanës, bardhekuqtë janë me sy e veshë drejt seancës dëgjimore, e cila mund të rezultojë decizive për fatet e korçarëve. Burime pranë klubit zbulojnë për “Panorama Sport” detaje të reja në lidhje me mbrojtjen që po bëjnë avokatët e studios zvicerane “De Pfyffer”. Këta të fundit u kanë dhënë garanci drejtuesve të klubit se shanset për të fituar çështjen përballë UEFA-s janë maksimale.

MANGËSITË

Sipas informacioneve që kanë mbledhur avokatët, organizata më e lartë e futbollit europian ka një sërë mangësish në fakte, si edhe shkelje procedurale në dokumentacionin e arsyetimit për dënimin e dhënë për Skënderbeun. Një nga shkeljet është gjetur në dokumentimin e lëvizjeve së koeficienteve. Sipas studios zvicerane, edhe pse është hedhur akuza, nuk ka asnjë të dhënë të saktë që lëvizja e tyre është bërë për llogari të klubit korçar. Nga ana tjetër, po të njëjtat burime theksuan se shumë nga dokumentet e përfshira në këtë dosje dhe që janë trajtuar si prova për të dhënë dënimin maksimal nuk kanë qartësinë ligjore. Nisur nga kjo, ata pretendojnë se as trupa gjykuese nuk mund t’i konsiderojë si prova apo fakte të pakontestueshme.

GARANCIA

Zyra juridike i ka dhënë Skënderbeut garanci maksimale se çështja do të përfundojë në favor të tyre ose të paktën gjithçka mund të kalohet me një gjobë si një lloj paralajmërimi nga ana e UEFA-s. Por edhe nëse shpall pafajësinë, pra vendimi final të jetë në favor të korçarëve, me shumë mundësi do u digjen shanset që të marrin dëmshpërblim për akuza të rreme dhe moslejim për të marrë pjesë në Europë sezonin e kaluar. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë nuk e parashikon një gjë të tillë.

E gjithë kjo pritet që të zbulohet në seancën dëgjimore që pritet të zhvillohet në 15-ditëshin e dytë të muajit dhjetor. Një dosje e tillë, që sipas juristëve është pa prova të sakta, mund të quhet një pasaktësi e UEFA-s, e cila nuk mori parasysh faktin që Skënderbeu do t’i shkonte deri në fund kësaj çështjeje. Korçarët janë gati që edhe nëse nuk vjen vendimi i shumëpritur nga KAS, të shkojnë për ankimim në Gjykatën Supreme në Zvicrës, si shkalla e fundit e apelit të këtij vendimi.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"