E PLOTË/ Një penallti bëhet “mollë sherri”, tension Muça-Ngo. Tirana nuk gjen qetësi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 17, 2018 | 22:00

E PLOTË/ Një penallti bëhet “mollë sherri”, tension Muça-Ngo. Tirana nuk gjen qetësi

Majkëll Ngo është në qendër të vë mendjes! Edhe dje sulmuesi dhe mbrojtësi Gentian Muça u bënë protagonistë të një debati, që për pak sa nuk përfundoi në konfrontim fizik, nëse nuk do të ndërhynte Eni Imami dhe Bedri Greca. Shkak është bërë një penallti në miqësoren me Korabin, që dy lojtarët kishin dëshirë ta ekzekutonin, por që e mori dhe e humbi Majkëll Ngo, duke mos pyetur për askënd.

tirana

NGJARJA – Në minutën e 80-të të miqësores mes Tiranës dhe Korabit, bardheblutë fitojnë një penallti. Anglezi Ngo merr topin dhe kërkon ta gjuajë ai penalltinë, ndërsa Muça siç duket i bëri me dije se sipas urdhrit të trajnerit duhet ta ekzekutonte ai 11-metërshin. Gjithsesi, Ngoja nuk pranoi asnjë sugjerim dhe i vendosur refuzoi t’i kalonte topin mbrojtësit të Tiranës, duke ekzekutuar dhe humbur vetë penalltinë. Në fund të miqësores me Korabin, trajneri Ardian Mema vendosi që ekipi i dytë duhet të bënte disa xhiro vrap.

Çuditërisht, gjatë xhiros së parë, mes Ngosë dhe Muçës nisi një tjetër debat, siç duket për penalltinë, këtë herë më i fortë, saqë futbollistët për pak u kapën me duar. Menjëherë, shokët e skuadrës kanë qetësuar situatën me Imamin dhe Grecën që dolën në mes dy lojtarëve dhe i larguan nga njëri-tjetri, sidomos Ngonë. Në lojë u fut edhe trajneri Mema, i cili disa nga lojtarët, duke përfshirë edhe Muçën e detyroi të vraponte në krah të kundërt. Situata u normalizua, por ndonëse debati nuk precipitoi akoma më shumë, shfaqja sërish nuk ishte e mirë për ambientin bardheblu, duke lënë një shije të hidhur, pasi Ngoja sapo është kthyer nga një dënim i klubit për sjellje të disiplinës.

MIQËSORJA – Tirana ka fituar 3-1 me Korabin në sfidën e djeshme të luajtur “Skënder Halili”. Ose më saktë, ishte ekipi i dytë ai që mundi Korabin, pasi ekipi i parë zhgënjeu plotësisht në 45 minutat e para. Mema kishte hedhur në fushë, në vend të Imamit, Grecës e Kobinës, Halilin, Ismailgecin dhe Mavejen. Gjithsesi, bardheblutë kanë qenë “tërmet”, sepse në minutën e 21-të Reçi shënoi një supergol, ndonëse Abibi kishte goxha faj. Për fat të mirë, Halili barazoi pas një gabimi të portierit mik dy minuta më parë, por loja e titullarëve la për të dëshiruar. Në pjesën e dytë, ekipi tjetër ia doli të fitonte me golat e Ngosë dhe Grecës takimin. Madje, skuadra e pjesës së dytë në përgjithësi ishte më e qartë në fushën e lojës.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"