E PLOTË/ Një fantazist për Gegën, Partizani ofertë Valon Ahmedit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 10, 2018 | 23:01

E PLOTË/ Një fantazist për Gegën, Partizani ofertë Valon Ahmedit

Një fantazist për Partizanin e Skënder Gegës. Klubi i kuq është në bisedime me 23-vjeçarin Valon Ahmedi, teksa lajmi konfirmohet për “Panorama Sport” nga burime të sigurta pranë drejtuesve. Mesfushori që ka luajtur edhe dy ndeshje me Kombëtaren shqiptare është një njohje e vjetër e Gegës, që kur ky i fundit drejton përfaqësuesen U-19, e më pas atë U-21.

Ahmedi nuk po kalon një moment të mirë te klubi i tij, Maribor, ku bën pjesë prej tri vitesh. Fantazisti është nën kontratë me klubin e famshëm slloven deri në verën e vitit 2019. Për herë të fundit në një ndeshje zyrtare, të vlefshme për kampionatin slloven, ai është aktivizuar më 23 maj të këtij viti. Maribori u përball në turin e parë të Ligës së Europës ndaj Partizanit, por trajneri Darko Milaniç nuk e grumbulloi Ahmedin në asnjë nga dy takimet e zhvilluara.

valon ahmedi

Mesfushori i lindur në Ohër ka dalë jashtë planeve të stafit teknik dhe tashmë është zyrtarisht në shitje. Mirëpo, duke qenë në vitin e fundit të kontratës, sllovenët nuk pritet të bëjnë rezistencë për shifrën që do ta lënë të lirë. Gazeta mëson se drejtuesit e Partizanit kanë folur konkretisht me zyrtarët sllovenë dhe gjërat duken në rrugë të mbarë për një transferim të mundshëm. Tashmë do të shihet vetëm formula e kalimit, pasi nuk përjashtohet mundësia që Ahmedi të huazohet dhe klubet të kenë në vazhdim nga 50% të kartonit të tij. Trajneri Gega ka shfaqur dëshirën ta ketë në skuadër, nisur edhe nga fakti se Ahmedi është një lojtar tipik fantazist, që mund t’i bënte shumë punë Partizanit për pasimin e fundit. “Demat” e kanë vuajtur në këto vite mungesën e një organizatori të mirëfilltë, teksa i fundit ka qenë malazezi Marko Cetkoviç, që luajti vetëm 6 muaj me të kuqtë.

SITUATA NË MERKATO

Shtatë afrime dhe po kaq largime. Partizani ka bërë një merkato të ekuilibruar deri më tani, duke ruajtur thuajse 80% të boshtit të skuadrës, me vetëm dy firo të rëndësishme si Arbnor Fejzullahu dhe Idriz Batha, që për katër vite radhazi kanë qenë titullarë të padiskutueshëm. Janë afruar emra të afirmuar në Superiore si mesfushori i qendrës, Ardit Hila, ndërsa nga Sllovenia erdhi sulmuesi i talentuar shkodran, Rubin Hebaj.

Goditje mund të quhet edhe rikthimi në kampionatin shqiptar i ganezit Emanuele Mensah, që dy vite më parë luajti me Laçin. Sulmuesi i krahut vjen nga një sezon jo i mirë në Greqi, por te të kuqtë janë të bindur se në kampionatin shqiptar do të përshtatet shpejt. Mbeten për t’u parë lojtarët me një moshë relativisht të re si mbrojtësit Eneo Bitri e Rron Statovci, si dhe mesfushorët Riza Zhdrella e Henri Okebgvu. Një çështje e hapur është ajo e Edgar Çanit, por me pak shpresa për një rikthim të mundshëm. Gega e ka bërë të qartë se çfarë kërkon nga sulmuesi, ndërsa ky i fundit është i destinuar për të respektuar kontratën me klubin. Shtatlarti ka pasur disa oferta nga klube të Serisë B dhe C italiane, ndërkohë që është urdhëruar nga klubi të stërvitet me ekipin e dytë.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"