E PLOTË/ Ndryshon strategjia e të kuqve, Partizani “pakt” me federatën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2018 | 23:00

E PLOTË/ Ndryshon strategjia e të kuqve, Partizani “pakt” me federatën

Partizani i sezonit 2018-2019 ka ndryshuar sjellje në çdo hap. Klubi ndoqi një politikë dhe strategjinë të re në merkato, duke mos bërë afrime të bujshme dhe të kushtueshme, por u bazua tek afrimi i elementëve të rinj. Gjithashtu, është anashkaluar edhe përdorimi i shprehjes: “jemi për kampion”. Por, ajo që bie në sy është sjellja e “demave” me FSHF-në. Të gjithë janë mësuar me një qëndrim opozitar dhe kritik të Partizanit në sezonet e fundit ndaj sjelljes së federatës karshi tyre, por aktualisht po ndiqet një strategji tjetër.

partizani

Ndonëse është vetëm fillimi i edicionit, Partizani ka preferuar të mos bëjë konfliktualin, edhe pse ka pasur arsye për të qenë i tillë. Në sezonet e shkuara kemi parë drejtues dhe pjesëtarë të stafit që nuk e kanë kursyer përdorimin e gjuhës së ashpër ndaj federatës. Shpeshherë, mosarritjen e qëllimit ua kanë faturuar gabimeve arbitrale, që janë konsideruar si të orkestruara nga FSHF. Në katër javët e para nuk kanë munguar gabimet arbitrale ndaj të kuqve. “Xhaketat e zeza” nuk e kanë problem që të akordojnë penallti kundër Partizanit, por në favor duket mision i vështirë. Kjo gjë u pa që në start, ku në transfertën e Korçës kryeqytetasve u mohohet një penallti në minutën e tetë, por ndëshkohen me një të tillë në fund.

Penallti kundër tyre u akordua edhe në javën e dytë ndaj Kamzës, e cila ashtu si ajo e Korës qëndronte, por në Laç gjyqtari nuk e pati guximin të akordonte një 11- metërsh në favor të “demave”. Përpos këtyre fakteve, shikohet që trajneri Gega nuk ankohet si paraardhësit e tij për gjyqtarët, por edhe klubi nuk e ka bërë një gjë të tillë deri tani. Kjo sjellje e re e të kuqve të jep përshtypjen se ka një pakt mes Partizanit dhe FSHF-së për të ulur “armët” dhe për të mos vijuar me vijën konfliktuale. Pa dyshim, sjellja e Partizanit me federatën ka ndryshuar që me afrimin e drejtorit Olsi Rama, i cili gjithnjë ka qenë i moderuar në qëndrimin dhe gjykimin e tij.

Me sa duket, Partizani ka nxjerrë mësim se duke bërë “luftë” me federatën, kurrë nuk mund t’ia arrijë qëllimit madhor, ndaj edhe penalizimet në këtë sezon janë konsideruar si gabime njerëzore. Trajneri Skënder Gega, pas barazimit në Laç, ku iu mohua një penallti e sigurt, tha se nuk do të merret me arbitrat, ndonëse e pranoi se 11-metërshi ishte. Ai ia kaloi topin klubit, si institucioni që do të ndërmarrë qëndrime zyrtare për mediat. Partizani qëndroi neutral edhe në debatin që u hap në start në lidhje me menaxhimin e ndeshjeve nga stjuartët.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"