E PLOTË/ Mbrojtje “bunker” para derbit, askush në Europë si Partizani

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 24, 2018 | 23:04

E PLOTË/ Mbrojtje “bunker” para derbit, askush në Europë si Partizani

Sulmi i mirë të fiton ndeshjet, ndërsa mbrojtja e hekurt bën të mos i humbasësh ato. Dhe një miks mes të dyjave ndërton një skuadër perfekte dhe me ambicie për të fituar trofe. Dhe Partizani duket se i ka bazat të forta në mbrojtje në këtë sezon. Në repartin e avancuar sigurisht që duhet të bëjë më mirë, por trajneri Skënder Gega mund të punojë i qetë me repartin e avancuar, sepse ai difensiv jep shumë siguri.

Partizani

Nuk është risi, sepse në vitet e fundit mbrojtja e të kuqve ka qenë një nga pikat më të forta të skuadrës. Dhe këtë e thonë statistikat. Ato nuk gënjejnë kurrë. Në pesë ndeshjet e luajtura deri tani në Superiore, Partizani ka pësuar vetëm 1 gol. Diçka e tillë gjendet shumë rrallë në kampionatet e njohura europiane, por jo vetëm.

Vetëm 2 ekipe- Dhe për të gjetur një apo disa skuadra të ngjashme me ecurinë e Partizanit në Europë duhet të hulumtojmë diku larg, jashtë kampionateve të elitës. Sepse asnjë skuadër e kampionateve kryesore si në Angli, Itali, Gjermani apo Spanjë nuk ka pësuar kaq pak sa Partizani. Dhe për t’i përmendur pak se cilat janë këto skuadra që mbajnë lart “nderin” e mbrojtjeve më të mira në kampionatet e tyre. Qëndrojmë gjithmonë te ngjyra e kuqe. Si për rastësi, ashtu si Partizani edhe dy ekipet e tjera që kanë mbrojtje të forta. Liverpuli është një skuadër për t’u marrë shembull në këtë sezon ku në 6 ndeshje të luajtura ka pësuar vetëm 2 gola, po ashtu si Bajerni në Gjermani që në 4 ndeshje ka pësuar 2 gola.

Capture

Të njëjtën ecuri kanë edhe portugezët e Fereinses, ndërsa në Serinë A dhe në Spanjë skuadrat që e kanë nxjerrë topin jashtë rrjetës janë Fiorentina me Sampdorian dhe Reali i Madridit. Me një gol të pësuar, përveç Partizanit, janë dy skuadra që luajnë njëra në Serinë B italiane dhe tjetra në Greqi. Por këtë herë ekipi shqiptar e fiton “garën” si mbrojtja më e mirë sepse ka luajtur 1 ndeshje më shumë. Çitadela në Serinë B dhe Atromitosi kanë pësuar 1 gol në 4 ndeshje, ndërsa Partizani 1 në 5. Golin e vetëm kryeqytetasit e kanë pësuar në ndeshjen e parë të kampionatit në humbjen me Skënderbeun. Ishte Muzaka që ndëshkoi Alban Hoxhën nga penalltia.

Para derbit- Dhe kjo ecuri është diçka shumë e mirë kur Partizani ka përpara një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, derbin me Tiranën. Mbrojtja jep shumë siguri përpara kësaj sfide dhe e lejon trajnerin Gega që të punojë i qetë për repartet e tjera. Por nëse mbrojtja e bën të lumtur këtë të fundit, sulmi është ai që duhet përmirësuar. OK, me mbrojtjen e mirë ndeshjet nuk humben, por Partizani dëshiron t’i fitojë ato…

GENTJAN ALINANI






www.minuta90.com