E PLOTË/ Makthi i dëmtimeve dhe goli, sulmuesi i Skënderbeut tregon vuajtjen: Dua të jem titullar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2018 | 23:13

E PLOTË/ Makthi i dëmtimeve dhe goli, sulmuesi i Skënderbeut tregon vuajtjen: Dua të jem titullar

Ardit Hoxhaj është rikthyer dhe këtë e bën duke tundur rrjetën. Katër gola të shënuar mes dy ndeshjesh zyrtare dhe një miqësoreje janë një tregues se sulmuesi vlonjat i Skënderbeut është gati për të marrë një vend në formacion. Një gjë të tillë, lojtari duket se e vuan si pasojë e atij dëmtimi të gjatë, por në një intervistë për “Panorama Sport”, vlonjati tregon momentet larg fushës dhe mbi të gjitha rikthimin me shpresën dhe besimin se sërish do të jetë titullar në Korçë.

Ardit-Hoxha-470x314

Hoxhaj, pas një mungese të gjatë jeni rikthyer, a mund të themi se tashmë kaloi gjithçka?

Për fat të mirë jam rikthyer dhe po ndjehem mirë. Ka qenë një nisje e vështirë për mua, pasi dëmtimet më penguan që të isha pjesë e ekipit që në fillim. Tani jam këtu dhe dukem mirë. Kam filluar të punoj normalisht me grupin dhe çdo ditë do të jap maksimumin tim për këtë ekip.

Tetë javët e para i keni ndjekur nga larg, si iu është dukur ekipi nga jashtë?

Ekipi më është dukur mjaft mirë nga jashtë. Është një grup i bashkuar që lufton shumë për të dhënë më të mirën dhe për të marrë atë që për ne është objektivi i çdo ndeshjeje. Mund të kishim bërë edhe më mirë, por fati nuk ka qenë me krahun tonë në disa takime, por loja dhe rastet nuk na kanë munguar.

Jeni në vendin e dytë, a e ka potencialin Skënderbeu për të luftuar për titull?

Kampionati është shumë i gjatë dhe ne po tregojmë se dimë të mbajmë hapin e kampionëve. Jemi në vendin e dytë me dy pikë më pak se Partizani dhe kjo tregon se do të jemi në garë për titull. Pavarësisht ndryshimeve ky ekip ka mbetur i fortë.

Partizani është 2 pikë para, por po tregon forcë në këto tetë javë. A ju shqetëson forma e të kuqve?

E thashë që është vetëm fillimi dhe kampionati është shumë i gjatë. Pas ndeshjes me Kamzën kemi përballjen direkte me Partizanin. Nuk është një distancë e madhe pikësh, vetëm dy pikë na ndajnë. Por të mos harrojmë se këtë pjesë të parë kemi bërë mirë dhe kemi mundur të gjithë rivalët direkt për titull.

Si ju është dukur kjo fazë e parë e kampionatit. A ka diferenca?

Jo, mendoj se diferencat këtë sezon ndryshe nga sezonet e kaluara janë më të vogla dhe më pak të dukshme. Ekipet janë pothuajse në të njëjtin nivel dhe mund të jenë të gjitha të vështira për t’u kaluar. Të hapin probleme. Mendoj se vetëm Kastrioti është pak më i dobët se të tjerët, ndërsa pjesa tjetër duket e gjithë gati në një nivel.

A i mungon formacioni Ardit Hoxhajt?

Është një pyetje disi e sikletshme, pasi çdo lojtari i pëlqen të jetë pjesë e formacionit dhe mua pa dyshim që po. Vij nga një dëmtim dhe këto kohë nuk kam pasur mundësi të jem pjesë e ekipit. Por, tani që u ktheva, do të punoj fort për të zënë formacionin. Sigurisht, që do të luajë ai që e meriton dhe për këtë do të duhet të bëj më të mirën.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"