E PLOTË/ Lamtumira e gardianit elbasanas, Kotorri: E kam nisur si sulmues, ja pengjet e karrierës

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 20, 2018 | 23:00

E PLOTË/ Lamtumira e gardianit elbasanas, Kotorri: E kam nisur si sulmues, ja pengjet e karrierës

Elvis Kotorri i jep “lamtumirën” futbollit. Pas dy dekadash, portieri ka vendosur që në moshën 39-vjeçare të varë “dorezat në mur”, ndonëse fiziku i tij mund të përballonte të paktën edhe një tjetër sezon. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-kampioni me Dinamon dhe Elbasanin rrëfen 20 vitet e karrierës së tij, me pengjet dhe sukseset e arritura, golin vendimtar ndaj Tiranës me verdheblutë dhe fitimin e titullit në ndeshjen e fundit ndaj Partizanit me Dinamon. Në rrugëtimin e tij të gjatë i preku të tria nivelet e futbollit shqiptar dhe fitoi gjithçka, duke u bërë një frymëzim për brezat e rinj. Edhe pse nuk i munguan pengesat, sërish la gjurmë…

Elvis Kotorri Elbasani

Elvis, me sa duket erdhi koha të varni “dorezat në mur”…

Po, është e vërtetë. E lashë edhe futbollin e luajtur. Vjen një ditë dhe përfundon karriera. Kështu e ka futbolli, nuk mund të luash përjetësisht.

Ju la futbolli ju apo e latë ju atë?

Isha unë ai që e lashë, jo ai mua. Fizikisht e ndieja se mund të vazhdoja edhe këtë sezon, por i thashë stop. Vjen një ditë kur edhe duhet të marrësh vendime të tilla, pasi çdo fillim e ka një fund.

Sa e vështirë ishte për ta marrë këtë vendim?

Normalisht që ishte e vështirë, pasi futbolli është një pjesë e jetës sime. Edhe pse në klubin e Elbasanit donin të gjithë që unë ta vazhdoja edhe për të paktën këtë vit, e mendova gjatë me veten time dhe u konsultova familjen, ndaj vendosa ta lë me kaq.

Arritët atë që kërkonit në futboll?

E mira nuk ka fund, thotë një shprehje e jona. Por, gjithsesi mendoj se kam pasur një karrierë të suksesshme, kam luajtur me skuadra prestigjioze në Shqipëri dhe kam fituar trofe.

Kotorri Elbasani

Si e nisët këtë rrugëtim?

Normalisht, në fillim si të gjithë fëmijët që kanë dëshirë të luajnë futboll. Ëndrra ime fillestare ka qenë të luaja për Elbasanin një ditë dhe kjo gjë u bë realitet, ku arrita të fitoj edhe trofe. Diku rreth moshës 10-vjeçare kam nisur të stërvitem, ku fillimisht luaja në sulm, me dëshirën për të bërë gola. Por, trajneri në atë kohë, Vigan Guranjaku, pa aftësitë e mia në portë dhe përfundova duke evituar golat.

Domethënë, mund të ishit edhe një sulmues i mirë…?

Këtë nuk di ta them, pasi e lashë shpejt atë rol. Por, di të them që jam i kënaqur në portë, ku më ndihmoi edhe pjesa që luaja mirë me këmbë. Pastaj, gola bëra edhe si portier, ndaj nuk ankohem (qesh).

Cilin gol veçon mbi të tjerët nga penalltitë që keni shënuar?

Portieri e shijon çdo gol, sepse ne jemi mësuar të evitojmë gola dhe jo të shënojmë. Megjithatë, më i veçanti dhe më i rëndësishmi ka qenë ai ndaj Tiranës, kur me golin tim fituam 3 me 2 dhe u shpallëm matematikisht kampionë të Superiores me Elbasanin.

Keni ndonjë peng nga këto 20 vite futboll?

Kanë qenë dy në fakt, mosgrumbullimi në Kombëtare dhe fakti që nuk luajta jashtë. Nuk i realizova dot.

Pse mendoni që nuk jeni grumbulluar në Kombëtare?

Nuk di ta them këtë, por ka qenë një periudhe 7-8 vjeçare ku kam qenë në formë shumë të mirë, ku edhe mund ta merrja një ftesë. Kam qenë kampion dhe protagonist në skuadrat elitare që kam luajtur.

Laze dhe Kotorri

Po jashtë pse nuk shkuat?

Kam pasur oferta nga jashtë vendit, por si i ri që kam qenë kam pasur gabimet e mia. Ndoshta nëse do shkoja jashtë, mund të thirresha edhe në Kombëtare. Megjithatë, nuk dua aspak ta kthej kokën pas dhe të kem pishmane. Dua të ruaj vetëm gjërat e bukura që kam kaluar në karrierë.

Cilat kanë qenë momentet më të gëzuara në karrierën tuaj?

Fitimi i titujve kampionë dhe trofeve janë gjithnjë momentet më të gëzuara për një sportist. Në fund të fundit, ato janë gjërat që mbahen mend në futboll.

Cili ka qenë trofeu që ju ka shijuar më shumë?

Trofetë të shijojnë të gjithë njëlloj. Për ta nisur me Elbasanin që rikthyem kampionatin pas 22 vitesh, diçka e paharruar për të gjithë ne dhe tifozët. Edhe me Dinamon ishin tituj të bukur, sidomos ai që fituam ndaj Partizanit me 9 lojtarë në fushë.

Ndonjë moment të vështirë keni pasur?

Momenti më i vështirë për një futbollist është gjithnjë pas një humbjeje.

Përpos humbjeve, gabimet që ndoshta i kujtoni ende edhe sot…

(Mendohet) Po mendohem gjatë, pasi nuk më kujtohen gabime që kanë ndikuar në mosrealizimin e objektivave dhe më vjen mirë për këtë. Ndërsa gabime që i mbaj mend kanë qenë dy momente me Elbasanin. Kur dolëm nënkampionë më duket, një gabim i imi në ndeshjen me Lushnjën bëri që të shënojë Kuli, por ia dolëm që të kthejmë rezultatin në favorin tonë. Më pas, vitin tjetër kur dolëm kampionë, në Durrës frynte një erë dhe në momentin që unë largoj topin, era e devijon dhe më pas shënon Xhihani në mos gaboj. Barazuam 1 me 1, por ia dolëm të fitojmë kampionatin. Nëse nuk do e fitonim prej atij goli, atëherë do më ngelte peng, sepse ka qenë gabimi i vetëm në 36 ndeshje të atij sezoni.

Superligë, Kategori e Parë dhe më pas e Dytë me Elbasanin. Keni luajtur në tri nivele të futbollit shqiptar, çfarë mund të na thoni?

Sa më poshtë të ulesh, aq më i dobët është niveli i futbollit. Për sa i përket Kategorisë së Dytë që luajta vitin e kaluar, kjo ishte për hir të Elbasanit, pasi kjo gjë nuk do ndodhte me asnjë skuadër tjetër. Gjithsesi, i provova të tria kategoritë.

Tani jeni trajner portierësh tek Elbasani, si ndiheni?

Është një rrjedhë logjike kjo që kam bërë, pasi këtë punë e kam pasion dhe do të mundohem që ta bëj sa më mirë, për t’u shërbyer portierëve të rinj që do stërvit, t’u jap sadopak nga eksperienca ime.

Pikërisht në këtë pozicion e shihni të ardhmen tuaj?

Unë mendoj se ky është roli që di të bëj më mirë dhe dëshira për të stërvitur portierët nuk më mungon. Për trajner nuk e kam menduar ndonjëherë, por në futboll nuk thuhet asnjëherë kurrë.

Cilin shihni si një Kotorr të ri në portën shqiptare?

Aktualisht në Shqipëri ka mungesë portierësh dhe nuk ka një brez cilësor për të luajtur në nivele të larta. Unë mendoj se çdo klub duhet të ketë trajner portierësh edhe te moshat, aty nis gjithçka. ABC-ja e këtij zanati nuk mësohet kur lojtari shkon 20 vjeç.

Keni ndonjë këshillë për portierët e rinj?

Duhet të punojnë fort, të përulen dhe t’i lënë rrjetet sociale deri në orët e vona të natës. Sporti do regjim, përkushtim dhe ushqim.

Ju vetë keni pasur ndonjë idhull kur keni qenë i ri?

Në fakt, kur isha i ri ndiqja Bufonin dhe Kasiliasin në fillimet e tyre, sepse edhe unë sapo kisha filluar. Edhe Shmajkëllin gjithashtu. I ndiqja dhe mundohesha të blija diçka prej tyre.

Keni pasur pengesa në karrierën tuaj futbollistike?

Normalisht që po. Në Shqipëri disa njerëz janë amatorë në mendim dhe paragjykojnë shumë. Mua më thoshin ky është i shkurtër, nuk do t’ia dalë dot, e këto gjëra. E kam pasur më të vështirë se të tjerët, sepse njerëzit të gjykojnë shumë nga pamja e jashtme. Një portier duhet të vlerësohet se sa i zoti është në mbrojtjen e portës.

Për çfarë mendoni se do të mbaheni mend në futboll?

Mendoj se këtë gjë duhet ta thonë të tjerët dhe jo unë. Personalisht kam qenë korrekt si brenda edhe jashtë fushës. Mjafton të mbahem mend qoftë edhe për kaq dhe jam i lumtur.

Si i keni pasur marrëdhëniet me trajnerët apo kolegët?

Me të gjithë kam qenë një njeri korrekt dhe nuk e kam ngatërruar asnjëherë punën me miqësinë. Kur isha te Korabi një vit, trajneri Dritan Mehmeti dhe kolegët e tij të tjerë aty ishin më të vegjël se unë në moshë. Por, marrëdhënien jashtë si miq që kemi qenë dhe jemi ende nuk e kam ngatërruar me marrëdhënien trajnerlojtar në skuadër.

Dy dekada në futboll, si e nisët dhe si e latë futbollin shqiptar?

Koha evoluon, të njëjtën gjë bën edhe futbolli. Tani janë kushte më të mira, duke nisur nga baza materiale deri te terrenet. Tani luan më lehtë futboll se atëherë, por mungon dëshira te të rinjtë.

Diçka të fundit për të shtuar…

Dua të falënderoj të gjithë njerëzit e sportit, që nga presidentët që hedhin paratë, trajnerët që stërvitin dhe lojtarët që luajnë, për atë që bëjnë për sportin. Pa harruar sigurisht tifozërinë, jo vetëm ata që më kanë mbështetur, por edhe kundërshtarët meritojnë respekt, sepse në fund të fundit futbolli nuk do të kishte kuptim pa ta.

VLADIMIR MEMA






www.minuta90.com