E PLOTË/ “Kunjat” me Partizanin, flet Bruno Dita: Ja e vërteta, ekipi më i vështirë ka qenë… Kamza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2018 | 22:48

E PLOTË/ “Kunjat” me Partizanin, flet Bruno Dita: Ja e vërteta, ekipi më i vështirë ka qenë… Kamza

Skënderbeu po dominon kampionatin në këtë pjesë të parë të sezonit, ku veç kryesimit ka triumfuar në përballjet direkte me rivalët për titull. Ndërkohë që mesfushori Bruno Dita po merr gjithnjë e më shumë rolin e liderit në fushën e lojës për bardhekuqtë. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport”, ishdinamoviti tregon çelësin e suksesit të skuadrës dhe flet për momentin e mirë që është duke kaluar. Dita sqaron edhe “kunjat” që përdori me anë të një postimi në “Instagram” pas ndeshjes me Partizanin, që sikur ia kanë marrë dorën.

Dita

Skënderbeu po marshon edhe këtë vit drejt titullit. Janë luajtur vetëm 10 javë, por a mendoni se trofeu do të mbetet në Korçë?

Pa dyshim që jemi në rrugën e duhur për titullin, në bazë të asaj që kemi treguar në 10 javët e para të sezonit. Paraqitja jonë ka qenë e mirë në këto ndeshje dhe kemi bërë maksimumin. Na vjen keq për pikët e lëna kryesisht në fushën tonë. Do të mundohemi të mos gabojmë, që të jetë akoma më mirë në vijim.

Duket se ju ka shijuar shumë fitorja me Partizanin, humori juaj në “Instagram” e dëshmon këtë…

Të them të drejtën, nuk kam asgjë me Partizanin dhe ai postim apo batuta me Gripshin nuk kishin të bënin me Partizanin si klub. Por duke qenë se është një rival direkt për titullin, një fitore e tillë të shijon shumë. Për më tepër, që si rival e kemi mundur dy herë në përballjet direkte.

Keni fituar ndaj çdo ekipi të madh, tregon ky fakt supermacinë tuaj?

Pa dyshim që po. Të fitosh ndaj rivalëve, gjithmonë është një tregues i mirë për të thënë se sa të fortë jemi. Normalisht që është një provë force dhe si e tillë kemi bërë mjaft mirë në këto takime. Por nuk duhet të neglizhojmë as në ndeshjet e tjera apo me kundërshtarë më të lehtë në letër, pasi kampionati fitohet ndaj tyre.

Nëse KAS-i lë në fuqi pezullimin, a do ju vinte keq që nuk do luanit në Europë?

Patjetër që po, keqardhja do të ishte mjaft e madhe në këtë rast. Skënderbeu është mësuar të luajë në Europë, madje të shkojë larg. Do të ndiheshim keq, pasi kemi qenë ne ata që i dhamë emër Shqipërisë në arenën europiane, duke marrë pjesë 2 herë në grupet e Europa Ligës.

Çfarë e bën të fortë Skënderbeun?

Besoj se grupi i kompletuar që ka, me lojtarë të rinj dhe cilësorë, që japin maksimumin për ekipin. Nga ana tjetër, edhe kushtet në të cilat punojmë janë mjaft të mira dhe kjo është diçka shtesë për ne.

Cili është kundërshtari që ju ka sikletosur më shumë deri tani?

Mund të them se ka qenë ndeshja përballë Kamzës, pasi me të vërtetë na vuri në vështirësi. Ndoshta jo më shumë për meritën e tyre, sesa për faktin se ne nuk ishim në ditën tonë më të mirë. Ky ka qenë një takim i vështirë, por që ne kemi ditur të ruajmë avantazhin deri në fund.

Luani me Kastriotin, i fundit në renditje. Do të diskutohen pikët?

Besoj dhe mendoj se jo, do të jetë një ndeshje që do të marrim maksimumin. Por, për ta bërë këtë, duhet të jemi shumë të përqendruar te ndeshja, pasi takime të tilla, të lehta në letër, janë “thikë me dy presa”. Nuk duhet të ulim përqendrimin dhe të jemi në maksimum.

Në ndeshjet e fundit keni qenë nga më të mirët në fushë për Skënderbeun. Cili është sekreti i rritjes suaj?

Puna dhe përkushtimi, pa diskutim janë pikat kryesore të një futbollisti. Më pas, edhe përgatitja dhe regjimi ndikojnë. Por, mua më vjen mirë që vlerësohem kështu, pasi vërtet po përpiqem të jap maksimumin në çdo ndeshje dhe të shpërblej besimin që më është dhënë.

Në të tilla ritme, a e mendoni një transferim jashtë Shqipërisë?

Sigurisht, për të qenë i sinqertë, nuk ka lojtar që të mos e mendojë diçka të tillë. Për çdo futbollist është ëndërr të luajë në një kampionat elitar dhe unë do të bëj si duhet punën time, me qëllim për ta arritur. Mund të them se më pas i takon klubit të vendosë për mua, nëse bindet nga oferta apo jo.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"