E PLOTË/ Kapiteni Radas: Vuajtëm me Partizanin, por triumfi na shijoi. Dueli me Malën aspak i lehtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2018 | 22:57

E PLOTË/ Kapiteni Radas: Vuajtëm me Partizanin, por triumfi na shijoi. Dueli me Malën aspak i lehtë

Fitorja me Partizanin ishte rezultati i duhur për të rikthyer në majë të klasifikimit Skënderbeun. Shijoi shumë sepse ky objektiv u arrit në fushën e një rivali të madh për titull dhe jo vetëm. I këtij mendimi është edhe kapiteni bardhekuq i Skënderbeut, Marko Radas, i cili për “Panorama Sport” vlerëson shpirtin e garës dhe mbi të gjitha atë që ekipi mund të bëjë këtë sezon me këto kualitete që ka.

mala radas

Radas, një fitore e madhe kjo me Partizanin…?

Sigurisht që është një fitore e rëndësishme, pasi luanim ndaj ekipit që mbante vendin e parë në renditje dhe për më tepër në transfertë. Plus kësaj, është një kundërshtar i drejtë për titull dhe në të tilla kushte bëhet një fitore akoma edhe me më shumë vlera. Me këtë fitore mund të themi se Skënderbeu është pretendent kryesor për titullin? Skënderbeun nuk e bëri kjo fitore pretendent për titull, por ka qenë pretendent që në ndeshjen e parë të sezonit. Ky klub është ndërtuar i tillë me objektiva madhorë dhe sigurisht që çdo vit ka objektivat e veta sezonale.

Mundët ekipin më të mirë të momentit…

Nuk e di, është çështje këndvështrimi se kush është ekipi më i mirë. Por e përsëris, mbetet një fitore e vështirë dhe mbi të gjitha e rëndësishme. Kjo, pasi fituam me një ekip që ishte dy pikë para nesh dhe tani jemi ne në krye të klasifikimit.

Dëmtimi juaj ishte një “blof” i klubit për të pasur një avantazh më shumë?

Jo, nuk është kështu. Kam pasur probleme gjatë javës, por nuk doja të humbja këtë ndeshje dhe kam shtrënguar dhëmbët. Më pas kur hyn në fushë, mendon të bësh gjithmonë më të mirën dhe të japësh maksimumin për ekipin.

Mala disa momente ju vuri në vështirësi, sa e vështirë ka qenë ta markonit?

Nuk dua të flas për aftësi individuale, pasi ne jemi ekip dhe luajmë të gjithë në grup. Është e vërtetë që në pjesën e parë vuajtëm disi ndaj Partizanit, por arritëm të reagonim në momentin më të mirë të mundshëm dhe e bëmë duke shënuar dy herë dhe duke marrë tri pikët në shtëpi, çka është më e rëndësishme.

Sa larg mund të shkojë ky ekip?

Skënderbeu i këtij sezoni ka shumë dëshirë dhe freski në fushë. Është i ndërtuar mbi një ndërthurje lojtarësh mjaft cilësorë me të rinj premtues. Kjo besoj se është çelësi i suksesit për ne këtë sezon.

Keni fituar katër ndeshje me tri ekipe rivale. A ju bën më të fortë kjo?

Sigurisht që po. Kur fiton ndaj rivalëve, çdo gjë ka tjetër kuptim. Ne kemi marrë maksimumin në përballjet direkte dhe jemi të lumtur për këtë. Por kampionati është i gjatë dhe nuk janë vetëm këto ndeshje. Kështu që fitore të tilla na shërbejnë si motivim për ndeshjet e tjera.

A djegin ato pikë të lëna në fushën tuaj?

Të them të drejtën, personalisht më djegin, pasi nuk duhet dhe nuk i meritonim t’i linim katër pikë në shtëpi. Por nëse ndeshjet do të luheshin me tifozë, patjetër që do të ishte një simfoni tjetër dhe rezultati do të ishte ndryshe. Të luash pa tifozë për ne që jemi një ekip i ri. është shumë e vështirë.

Për herë të parë në Korçë bojkotohet stërvitja për mungesë rrogash, a keni garanci tani?

Është kapitull i mbyllur dhe nuk dua të komentoj asgjë. Duam të shijojmë këtë ecuri pozitive që po bëjmë në ndeshjet e fundit dhe të jemi të përqendruar që të zgjasë sa më shumë.

Të gjithë me sytë nga KAS, sa mund të ndikojë në ecurinë e kampionatit?

Ajo është një çështje që merret klubi dhe është klubi ai që e ndjek. Ne jemi të përqendruar në fusha dhe për të dhënë maksimumin tonë deri në fund. Nëse KAS vendos drejtësi, atëherë do të jetë një histori tjetër për ne dhe futbollin shqiptar.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"