E PLOTË/ Juventusi i bën një dhuratë Kukësit, zbulohet marrëveshja për mesfushorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 9, 2018 | 22:58

E PLOTË/ Juventusi i bën një dhuratë Kukësit, zbulohet marrëveshja për mesfushorin

Mesfushori në pronësi të Juventusit, Omar Ture, mund të quhet lojtar i Kukësit. Akordi total është arritur në orët e fundit dhe nesër lojtari 19-vjeçar mbërrin në Tiranë për të kryer vizitat mjekësore dhe për të firmosur me klubin nënkampion në fuqi të Shqipërisë. “Panorama Sport” ka zbuluar ekskluzivisht që më 4 gusht, se Kukësi ishte në bisedime të avancuara me përfaqësuesit e klubit bardhezi.

omar ture

Pas negociatave të vazhdueshme dhe gjetjes së gjuhës së përbashkët me Juventusin, lojtarin dhe menaxherin e tij, më në fund është arritur marrëveshja. Mesfushorit i është prerë bileta dhe nesër vjen në Shqipëri, teksa si për koincidencë, zbarkon në ditën e kthimit të skuadrës nga Gjeorgjia. Drejtori i klubit kuksian, Nderim Nexhipi, falë ndërmjetësisë së menaxherit të FIFA-s, Elton Marini, kanë mbyllur me sukses këtë “operacion”.

Kontrata e huazimit është firmosur tashmë edhe nga administratori i deleguar i Juventusit, Bepe Marota, pasi Ture ishte nën kontratë me bardhezinjtë deri në verën e vitit 2019. Gazeta mëson se një pjesë të pagës së lojtarit do ta mbulojë Kukësi (rreth 4 mijë euro në muaj), ndërkohë që është rënë dakord që klubi verilindor të mbaj një përqindje të kartonit pas përfundimit të huazimit 1-vjeçar.

KARRIERA

Lojtari nga Guinea ka nisur karrierën në Itali në akademinë e klubit Santarkanxhelo. Në moshën 16-vjeçare ai u pikas nga Interi, që menjëherë e afroi në ekipin U-17, ku luajti për një sezon në kampionatin e paratërinjve. Mesfushori i qendrës bëri një hap të shpejtë, pasi klubi i Juventusit, duke parë cilësitë që kishte, ua “rrëmbeu” zikaltërve, duke paguar një shumë të konsiderueshme.

Menjëherë, Juventusi e huazoi të riun në Austri te klubi WSG Watens, që militon në “Erste Liga” (niveli i dytë i kampionatit në Austri). Pas përfundimit të sezonit, Ture u rikthye te Juventusi, duke u stërvitur me skuadrën U23, që këtë sezon merr pjesë në Serinë C italiane. Duke parë rivalitetin e madh te bardhezinjtë, agjenti i lojtarit dhe klubi arritën një marrëveshje që Tures t’i jepet një tjetër mundësi në formë huazimi. Kukësi u interesua ndër të parët dhe në fund përfitoi.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"