E PLOTË/ Ish-trajneri Lutaj: Flamurtari për titull, por kampion të bën klubi

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Shtator 3, 2018 | 22:51

E PLOTË/ Ish-trajneri Lutaj: Flamurtari për titull, por kampion të bën klubi

Edmond Lutaj shikon këtë sezon një Flamurtar pretendent për titull kampion. Ish-trajneri vlonjat etiketon si rival të kuqezinjve deri në fund Partizanin. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Edmond Lutaj tha se ekipet që dominuan sezonin e shkuar kanë bërë shumë ndryshime dhe kjo situatë është në favor të Flamurtarit.

Lutaj vlerëson trajnerin Daja për filozofinë e tij moderne, i cili po e përcjell edhe tek ekipi. Ish-trajneri vlonjat theksoi se Flamurtari ka dështuar gjithë këto vite se nuk ka ditur të menaxhojë me sukses një sezon fotbollistik dhe këtë vit duhet të nxjerrë mësime nga këto dështime.

edmond lutaj

Profesor Lutaj, si e shikoni Flamurtarin e këtij sezoni të ri?

Unë e kam ndjekur Flamurtarin në dy takime, në ndeshjen me Teutën dhe Kukësin. Të jem i sinqertë, takimin me Luftëtarin nuk e kam ndjekur. Flamurtari në këtë fillimkampionati është paraqitur stabël. Në ndeshjen me Teutën pashë që ekipi kishte ngjashmëri me atë të sezonit të kaluar dhe nuk u impenjua shumë. Teuta bëri një ndeshje të mirë dhe e vuri Flamurtarin në vështirësi. Në atë takim ekipet nuk kishin shumë diferenca. Ndërsa në ndeshjen me Kukësin, Flamurtari u paraqit krejt ndryshe. Ishte një ekip solid në mbrojtje dhe me një sulm me shumë alternime.

Si e shikoni këtë ekip të sivjetshëm përballë rivalëve?

Duke e vlerësuar ekipin për këto tri ndeshje dhe njëkohë- sisht duke parë edhe kundërshtarët, mendoj se Flamurtari dhe Skënderbeu janë dy ekipet që kanë bërë paraqitjet më të mira.

Çfarë ka sjellë trajneri i ri, Ilir Daja, te Flamurtari?

Ilir Daja, edhe pse nuk e njoh personalisht, më duket një trajner me një filozofi moderne, që e ka të qartë se cila është dëshira për të luajtur ekipi i tij. Këtë gjë duket se e ka transmetuar tek ekipi.

Mendoni se ka ardhur koha që këtë vit Flamurtari të pretendojë për titull?

Mendoj se në këtë kampionat, Flamurtari ka mundësi shumë të mira për të dalë kampion. E them këtë, duke parë se ekipet që dominuan sezonin e kaluar kanë bërë ndryshime shumë të mëdha në organikat e tyre dhe për mendimin tim janë dobësuar. Mendoj se në fund të kampionatit dy rivalët kryesorë për titull do jenë Flamurtari dhe Partizani.

Si e vlerësoni merkaton e kësaj vere te vlonjatët?

Lojtarët që kanë ardhur në merkaton e kësaj vere te Flamurtari janë cilësorë. Mbetet të shikojmë kontributin e tyre në fushë.

Sipas jush, cila është pika më e fortë e këtij ekipi?

Me çfarë kam parë deri tani, nuk mund të them se Flamurtari ka një lojtar, që mund të fitojë ndeshjet i vetëm për këtë ekip. Mendoj se pika më e fortë është grupi dhe një trajner që di të fitojë tituj.

Nëse u referohemi viteve të shkuara, çfarë nuk ka shkuar?

Mos të largohemi shumë, por të shikojmë te sezoni i fundit. Flamurtari e nisi kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme, por më vonë pati një shpërfytyrim total. Flamurtari ka dështuar se nuk ka ditur të menaxhojë me sukses një sezon futbollistik. Disa nga problemet që kanë pasur në të shkuarën unë mendoj që të mos përsëriten dhe Flamurtari të ketë nxjerrë mësime. Ekip i suksesshëm është ai ekip që është i bashkuar, di të menaxhojë të gjitha situatat me të cilat përballet në një kampionat. Ekipi që del kampion është ai ekip që ka një klub kampion, jo vetëm një trajner të mirë dhe lojtarë të mirëpaguar. Në këtë aspekt, Flamurtari ka shumë për të treguar.

Ndeshja e radhës është me Skënderbeun. Si e shikoni këtë takim?

Ndeshja e radhës me Skënderbeun do të jetë shumë e vështirë dhe duhet vlerësuar shumë. Në të shkuarën Skënderbeu ka qenë disa hapa para kundërshtareve kurse sot diferencat janë shumë të vogla. Por nuk duhet harruar se Skënderbeu punon me qetësi dhe është i mirorganizuar si klub. Mendoj se kjo është diferenca.

ERMAL SIKA





www.minuta90.com