E PLOTË/ Ish-sulmuesi Xhafaj: Flamurtari, larg titullit. Ja kush është blerja më e mirë këto 5 vite në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 7, 2018 | 22:00

E PLOTË/ Ish-sulmuesi Xhafaj: Flamurtari, larg titullit. Ja kush është blerja më e mirë këto 5 vite në Vlorë

Daniel Xhafaj nuk e shikon për titull Flamurtarin e këtij viti me këtë kontingjent. Ishsulmuesi vlonjat, në një intervistë për “Panorama Sport”, deklaron se kuqezinjtë janë për Kupat e Europës. Xhafaj vlerëson si blerjen më të mirë në këto pesë vite afrimin e trajnerit Ilir Daja.

Ishsulmuesi u bën apel njerëzve që kanë vite në klubin vlonjat, që këtë sezon të japin kontributin e tyre për të mirën e Flamurtarit. Kukësi, Skënderbeu dhe Partizani do të rivalizojnë deri në fund për titull, shprehet vlonjati.

daniel_xhafaj

Daniel, si e shikoni Flamurtarin e sezonit 2018- 2019?

E shikoj si Flamurtarin e përhershëm, me ekip të riformuar, me staf të ri, dhe si çdo kampionat me pretendime. Që do të thotë se për nga këndvështrimi në përgjithësi nuk ka ndonjë ndryshim.

Mendoni se ka ardhur koha që Flamurtari të pretendojë për titull këtë vit?

Do të dëshiroja shumë që Flamurtari të jetë për kampion këtë sezon, por është e vështirë. Nëse do të shkojë në Kupat e Europës, do të ishte sukses i madh për skuadrën.

Pse nuk e shikoni për titull këtë Flamurtar?

Mendoj se ka nevojë për më shumë kontingjent lojtarësh. Nëse në dhjetor marrin lojtar të mirë mund të jetë edhe për titull.

Po përballë rivalëve të tjerë në çfarë niveli e shikoni?

Unë mendoj se do të jetë një garë e fortë midis shumë ekipeve. Diferencën do ta bëjnë skuadrat, që përveç stafit dhe përbërjes së lojtarëve, ka rëndësi të veçantë edhe klubi. Pra vlen shumë mënyra se si do sillet klubi me ekipin dhe stafin teknik.

Si e vlerësoni emërimin e Ilir Dajës në krye të pankinës vlonjate?

Për Ilir Dajën kam simpati, si njeri dhe si specialist. Është trajner me vlera të mëdha. Për mua është blerja më e mirë që ka bërë Flamurtari në këto pesë vite. Është një trajner që nuk shikon emrat, por rendimentin e çdo futbollisti.

Cila është pika më e fortë e këtij ekipi?

Është herët që të flasim. Por, si fillim, kampionati është goxha mirë për atmosferën dhe besimin e ekipit. Shpresoj që këtë sezon njerëzit që kanë vite te Flamurtari dhe paguhen që punët të shkojnë mirë, të mbështesin këtë ekip. Mendoj se ka ardhur koha që mos të kemi më dështime, por vetëm suksese, sepse Vlora e meriton që të krenohet me ekipin. Flamurtari ka tifozëri të shkëlqyer dhe duhet të shpërblehet edhe nga skuadra.

Ndeshja e radhës është me Skënderbeun. Si ish-i dy ekipeve, çfarë ndeshje prisni?

Do jetë një ndeshje e bukur për ta parë dhe uroj që të jetë një takim me ritëm në fushën e lojës.

Cilët mendoni se do rivalizojnë për titull deri në fund këtë sezon?

Ekip për titull mendoj së janë Kukësi, Skënderbeu dhe Partizani. Këto tre ekipe do të rivalizojnë deri në fund.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"