E PLOTË/ Ish-kapiteni i “demave”: Derbi i H(A)sanëve, ja pse fiton Partizani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 21:24

E PLOTË/ Ish-kapiteni i “demave”: Derbi i H(A)sanëve, ja pse fiton Partizani

Goli me vlerën e fitores në derbin e 12 tetorit të 2013-ës, bëri që Ertan Demiri të mbetet në memorien e tifozëve të kuq, por edhe të klubit, pasi ishte një sukses që vinte pas 5 viteve ndaj rivalëve bardheblu. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i të kuqve tregon emocionet e paharrueshme të atij takimi si dhe shijen në humbjen e 7 shkurt 2014, që ka mbetur e fundit për “demat”.

Demiri pohon se Partizani ua ka marrë dorën derbeve, ndonëse Tirana luan më mirë. Sa i përket duelit të së premtes, ish-kapiteni i kuq shikon Partizanin si favorit, ndërsa përcaktues shikon Jasir Asanit dhe Edon Hasanin. Demiri ka vlerësuar strategjinë që po ndjek klubi i kuq në këtë sezon, që sipas tij nuk ka asnjë klub superfavorit, madje vendimtar shikon edhe vendimin që KAS do të japë për Skënderbeun.

ertan-demiri

Ertan, duke qenë se jeni i angazhuar te FC Shkupi, sa e keni ndjekur kampionatin shqiptar këtë sezon dhe si e shikoni në krahasim me të shkuarën?

Siç e thatë edhe ju, për arsye se kam shumë obligime te FC Shkupi si tek ekipi i parë, po ashtu merrem shumë edhe me akademinë e klubit, nuk po më premton koha të shikoj drejtpërdrejt në stadium ndonjë ndeshje të kampionatit shqiptar. Por sa mundem, nëpërmjet televizionit, shikoj të paktën ndeshjet më të forta. Ky sezon më duket se është një ndër më të barazuarit. Nuk shikoj ndonjë superfavorit në këtë fillimkampionati.

Sa herë vjen derbi, gjithnjë kujtohet emri juaj, që i dhatë fitoren e parë Partizanit pas një mungese 5-vjeçare. Si e kujtoni atë moment?

Sinqerisht mendoj se kem qenë me fat që isha protagonist në atë ndeshje të paharruar për të gjithë ne që ishim në fushë dhe tifozët në stadium. Çdo herë që e shikoj golin përmes pamjeve filmike më kthehen në kokë ato superemocione. Falënderoj drejtuesit e klubit, si dhe trajnerin që ishte në atë periudhë, profesor Hasan Lika, që m’i mundësuan këto momente të paharrueshme.

Derbi rikthehet pas një  mungese sezonale, pasi Tirana ishte në Kategorinë e Parë. Si e shikoni duelin e së premtes?

Derbi i kryeqytetit është bukuria e futbollit shqiptar, pasi gjithnjë ka dhuruar emocione, si në fushë dhe tribuna. Rikthimi i shpejtë i derbit është një gjë e mirë edhe për vetë Superioren. Ndoshta tani rolin favorit e ka Partizani dhe shpresoj të jetë një avantazh edhe për duelin e radhës me dy skuadrave.

Partizani-Tirana 1-0, Ertan Demiri ka shenuar golin e fitores

A shikoni paralelizma mes derbit të parë që ju luajtët me fanellën e kuqe dhe e fituat, me takimin e së premtes, pasi tani është Tirana ajo që vjen nga Kategoria e Parë. Mund të përsëritet ajo histori që të fitojë ai që vjen nga poshtë?

Realisht derbi i së premtes është një situatë identike me atë fitore që ne arritëm para 5 viteve, por rolet kanë ndryshuar. Tirana është më e motivuar, por siç e thashë edhe më parë, Partizani në këtë rast ka përvojën e Superligës. Nuk duhet harruar edhe një fakt se stadiumi “Qemal Stafa” i mungon shumë këtij derbi.

Tirana ka një ngërç në derbi, pasi nuk fiton që nga 7 shkurti i 2014-ës. Si e kujtoni atë humbje 1-0, që ka mbetur e fundit për “demat”?

Statistikat të japin të drejtë të thuash se disi Partizani ua ka marrë dorën ndeshjeve derbi me Tiranën. Sa i përket humbjes së 7 shkurtit 2014, jam zëvendësuar disi herët, diku pas minutës së 60-të. Realisht u mërzita shumë kur dola, sepse kisha bindje që do të shënoja përsëri ndaj Tiranës. Mërzia nuk kishte të bënte me zëvendësimin, por me humbjen që pësuam më pas.

A keni një parashikim për derbin e 28 shtatorit dhe cili mendon se mund ta zgjidhë atë?

Derbet vështirë të parashikohen, kështu që mendoj se mund ta vendosi një moment i krijuar nga Jasir Asani, që është lojtari kyç për momentin te Partizani. Por, edhe Edon Hasani te Tirana, i cili ka kualitet dhe përvojë të mjaftueshme për të vendosur një derbi.

Si i shikoni ekipet në prag të kësaj sfide dhe kujt duhet t’i ruhet Partizani te bardheblutë?

Me sa mbaj mend në derbet e fundit, Tirana luan mirë, por Partizani fiton në shumicën e rasteve. Partizani duhet të ketë kujdes nga Edon Hasani, pasi siç e thashë edhe më lart ka përvojën për të diktuar në ndeshje të tilla, por nuk duhet harruar edhe Erando Karabeci.

Në vitet e fundit kemi një dyndje të futbollistëve nga Maqedonia në Superiore, ku edhe në derbi do të ketë protagonistë…

Më vjen mirë që klubet shqiptare kanë besim te futbollistët që luajnë në Maqedoni. Për mendimin tim, deri më tani thuajse të gjithë kanë bërë një paraqitje pozitive në futbollin shqiptar. Ndaj e shikoj si një lëvizje pozitive dhe frytdhënëse për të gjithë palët.

Partizani këtë vit ka zgjedhur një profil të ulët, duke mos bërë premtime dhe afrime të bujshme. A mund të jetë kjo një strategji e drejtuesve për të lënë të qetë ekipin dhe pa zhurmë të shkojnë te titulli i munguar prej vitesh?

Sinqerisht po më pëlqen shumë ky Partizan i këtij sezoni, pasi nuk po bën zhurmë. Me këtë mënyrë pune, automatikisht e largoi avash presionin e krijuar artificialisht gjatë këtyre viteve. Shpresoj që të jetë një zgjedhje e duhur për të shkuar te suksesi i shumëpritur.

Sipas jush, cili ekip është më i avantazhuari për titull këtë vit?

Këtë vit është gjithçka e mundur në Kategorinë Superiore. Për mua është shumë i rëndësishëm edhe vendimi i KAS-it për Skënderbeun.

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"