E PLOTË/ Idrizi ironi me skuadrën: Do kopjoj Gjicin, ultimatum ekipit për pesë fitore radhazi

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shtator 24, 2018 | 22:59

E PLOTË/ Idrizi ironi me skuadrën: Do kopjoj Gjicin, ultimatum ekipit për pesë fitore radhazi

Sinan Idrizi nuk e “kryqëzon” Flamurtarin. Pavarësisht humbjes së dytë radhazi në kampionat, administratori mendon se futbollistëve u duhet dhënë kohë që të konsolidohen. Për “Panorama Sport”, administratori Idrizi tha se humbja me Partizanin ngjason me humbjen me Skënderbeun. Idrizi theksoi se ekipi është emocionalisht i ngarkuar.

“Kjo humbje me Partizanin m’u duk si humbja me Skënderbeun. M’u duk e njëjta gjë. Këta djemtë tanë janë më tepër emocionalisht të ngarkuar. Mua m’u duk vazhdimësia e së njëjtës gjë. Ekipi është me këmbë në tokë. Nuk do të dalim tani të kryqëzojmë ekipin për dy humbje. Para dy humbjesh ishin heronj, tani do t’i bëjmë tradhtarë, nuk shkon kjo. Ka kohë për t’u përmirësuar, do të konsolidohet ekipi, do konsolidohen strukturat e ekipit, të gjitha bashkë. Ka nevojën e kohës çdo gjë. Por ne jemi të paduruar”, tha fillimisht Idrizi.

Gjici Idrizi

BATUTA PËR GJICIN

Administratori Sinan Idrizi, me batutë shprehet se Flamurtari këtë sezon do të ketë rival Kukësin. Idrizi tha se do t’u vendosë lojtarëve kushtin e Gjicit, që në 5 ndeshje kërkon 15 pikë. “Tani filloj taktikën e Safetit (Gjicit) unë. Në 5 ndeshjet e radhës dua 15 pikë. Unë jam i detyruar të mësoj nga njëri. Që të bëjmë një ekip kampion, duhet të mësoj nga ndonjë. I thosha një mikut tim tani se po flisnim për aeroportet, Vlora do ta bëjë aeroportin, Kukësi e ka. Aeroportin e Kukësit duhet ta ketë ai që ka harxhuar më shumë në Kukës. Nuk e di ekonomikisht se çfarë bën Safeti. Por unë si model do të kem Kukësin tani, si model. Ata e kanë aeroportin dhe ne do të bëjmë një aeroport në Vlorë. Ideja është që çfarë do bëjë Kukësi si strukturë, do të bëjë edhe unë, sepse ai ka sukses. Vetëm Kukësin kam rival tani. Dy ekipet e rilindjes. E përsëris, në 5 ndeshje dua 15 pikë. Do t’u vendos ultimatum si Safeti. Kukësi është ekipi pretendent për kampion këtë vit”, u shpreh administratori.

TORASA

Sinan Idrizi e shikon emocional gjestin e Torasës, i cili hodhi fanellën në stol teksa u zëvendësua në ndeshjen me Partizanin. Administratori vlerëson lojtarin. “Nga kjo që unë kam parë deri tani, Torasa është nga të huajt fjalëpakë e punëshumë. Nuk ka krijuar ndonjë problem. Emocionet e ndeshjes janë për të gjithë bashkë dhe jo vetëm për atë. Të gjithë mund të flasin ndonjë fjalë më tepër, mund të bëjnë ndonjë veprim më shumë. Nuk ka nevojë për koment kjo çështje. Unë kam pritshmëri të lartë për të. Torasa është lojtar që unë e vlerësoj jashtë mase”, përfundon Idrizi.

Ermal Sika






www.minuta90.com