E PLOTË/ Fushaj: Vllazninë e marr pa borxhe, gafë nëse Partizani e “rrëzoi” për motive politike

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 25, 2018 | 23:03

E PLOTË/ Fushaj: Vllazninë e marr pa borxhe, gafë nëse Partizani e “rrëzoi” për motive politike

Valter Fushaj e cilëson rënien e Vllaznisë nga Superiorja si diçka të pritshme. Ish-presidenti që ka sjellë trofe në Shkodër, dje, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, mundohet të hedhë dritë mbi situatën në klubin shkodran dhe dramën e rrëzimit nga elita.

fushaj vajushi

Fushaj ka për të gjithë, nga kryebashkiakët, tek administratorët, trajneri dhe deri te lojtarët, teksa 70 % të tyre i quan të papërgjegjshëm. “Jam gati të marr një Vllazni pa borxhe dhe me standarde normale”, është premtimi i ish-presidentit Fushaj.

Zoti Fushaj, Vllaznia u rrëzua nga kategoria. Ishte diçka e pritshme për ju, apo shpresonit se në fund ekipi do ia dilte?

Së pari, për mua personalisht keqardhja është shumë e madhe. Mirëpo, e vërteta është se kjo Vllazni u bë gjashtë vite që po kalon këtë situatë. Pra, çdo sezon që mbyllej, sërish ankthi ishte i pranishëm. Thoshim hë se shpëtuam edhe këtë vit. Por, me këtë formë menaxhimi, një ditë do të vinte edhe ky rrëzim, edhe pse për Shkodrën si qytet rënia e Vllaznisë është dramë e madhe. Gjithsesi, për mua rrëzimi nga kategoria nuk ka qenë diçka e papritur. Edhe sikur të shpëtonte këtë sezon, prapë në tjetrin problemet do të vazhdonin.

Ju mendoni se gjithçka i faturohet keqmenaxhimit?

Që pas largimit tim, vetëm në vitin e parë, kur ekipin e kanë pasur të gatshëm nga unë, bashkia ka bërë një farë menaxhimi. Në atë sezon u bënë dy shitje lojtarësh, ku mesa mbaj mend klubi ka përfituar 150 mijë euro. Më pas, për gjashtë vite rresht e njëjta situatë: jo bie sot, jo bie nesër.

Është krijuar një bindje në Shkodër se këtë rrëzim e kanë edhe prej Partizanit, që u mund në ndeshjen e fundit nga Kamza. Ju si mendoni?

Vllaznia nuk mund ta kërkojë rënien te Partizani, edhe pse “goli” duket sikur u ka mbetur të kuqve. Fajin duhet ta gjejnë te vetja, jo të vareshin nga këmbët e të tjerëve. Gjuha shkon ku të dhemb dhembi, por nuk ia ka fajin njeri Vllaznisë që nuk fitoi ndeshjen direkte me Kamzën. Nuk mund të themi tani, pse nuk na ndihmoi Partizani. Këto janë qesharake.

Vllaznia nuk duhet ta linte këtë situatë për ndeshjen e fundit. Gabimet kanë qenë të skuadrës që në ndeshjen me Kamzën në Shkodër. Për mendimin tim nuk ka lidhje Partizani. Po sikur të luante Skënderbeu dhe Partizani drejt, çfarë do të bëhej? Gjithmonë, fundi i kampionatit sjell këto dhe nëse e lë gjithç- ka për javën e fundit, sigurisht je me një këmbë brenda dhe me tjetrën jashtë. Megjithatë, unë shpresoj që kjo e Partizanit të mos jetë diçka politike.

Fushaj Valter

Në ç’kuptim?

Shikoni, unë kam komunikuar në këtë periudhë edhe me njerëz te Partizani. Nuk e kisha idenë që Vllaznia i ka hequr një kampionat Partizanit në këto vitet e fundit dhe sikur ka pasur një hatërmbetje për rezultatet e sezoneve të kaluara. Sigurisht, inatet e vjetra dhe mosbashkëpunimi mund të ketë çuar në një hakmarrje, por që unë shpresoj të mos ketë qenë në rrafshin politik, meqë klubet janë kahe të kundërta. Nëse Partizani e ka bërë këtë në çdo formë tjetër, atëherë është e drejtë e tij dhe nuk mund t’i kërkosh asgjë. Nuk është e drejtë, vetëm nëse e ka bërë për çështje politike.

Tashmë është fakt që Vllaznia ra. Sipas jush, më mirë që ndodhi kështu për të bërë një revolucion në klub apo nuk shikoni një të ardhme premtuese?

Kjo rënie erdhi si dramë për Shkodrën, pasi, si për ironi të fatit, vitin tjetër klubi feston edhe 100-vjetorin e themelimit. Natyrisht, nuk është fundi i botës, sepse kanë rënë edhe klube më të mëdha se Vllaznia, mes tyre edhe Juventusi në Itali. Në sezonin e kaluar zbriti edhe Tirana, por tani ndryshon historia. Vllaznia, që kur jam larguar unë, duke filluar nga ish-kryebashkiaku Luka, për të vazhduar me kryetaren aktuale, është bërë menaxhimi më i keq i mundshëm. Nuk e kuptoj pse Vllaznia u kthye në shoqëri aksionere, kur mund të vijonte si shoqatë. Në këtë situatë ku erdhi Vllaznia, përgjegjësi kanë të gjithë administratorët e klubit dhe natyrisht, lojtarët.

Sa përgjegjësi kanë vetë lojtarët, që e çuan deri në këtë pikë ekipin?

Në sezonin e fundit, gabimet kanë nisur që në fillim me një merkato të gabuar. U afruan pa fund mesfushorë dhe nuk erdhën mbrojtës e sulmues. Pastaj, janari është një merkato që çfarë të dalë. Vllaznia mori lojtarët që Partizani nuk i donte. Në Shkodër menduan se Sukaj, duke qenë shkodran dhe Malota një lojtar me emër, do të ndryshonin ekipin. Mirëpo, edhe këta nuk e morën veten asnjëherë fizikisht. Në këtë dështim edhe teknik të Vllaznisë, përgjegjësi kanë pjesa dërrmuese e lojtarëve. Nuk mund të them që futen të gjithë lojtarët, sepse ka pasur edhe nga ata që kanë dhënë shpirtin në fushë dhe më vjen shumë keq. 70% e lojtarëve të Vllaznisë kanë qenë krejt të papërgjegjshëm. Edhe pse me rroga të mira, ata nuk janë angazhuar. Por, e përsëris, që përgjegjësia te Vllaznia fillon që nga koka dhe deri te lojtari më i fundit, ndoshta edhe deri te fizioterapisti. Në futboll është çdo gjë e lidhur, janë bashkëfajtorë.

Gjoka u largua vetëm dy javë para fundit të kampionatit, madje u ndie i tradhtuar nga lojtarët në ndeshjen ndaj Partizanit…

Ndeshjen me Partizanin e kam parë vetë nga tribuna, por di të them se Gjoka, deri në momentin që u sulmua në Shkodër, punoi mirë dhe mori disa rezultate. Mirëpo, që pas problemit, Gjokës i doli situata jashtë kontrollit. Ai ka qenë i stresuar gjatë gjithë kohës dhe nuk ka punuar lirshëm. Ndoshta edhe unë si shok i tij, duke e takuar dhe pirë kafe këtu në Shkodër, kam ndikuar duke i thënë që të mos largohet në atë periudhë. Sulmi nuk u bë për të ikur ai, por tani e ndiej edhe unë veten fajtor që e binda të mos largohej.

Është dashur që Gjoka të ikte që në atë moment dhe të vinte një trajner tjetër për të ndryshuar klimën. Situata i doli nga kontrolli dhe ekipi u përça, madje kishte edhe lojtarë të pabindur kundër tij. Ishte një moment i çuditshëm, ku ai mbrohej edhe nga policia. Çfarë të mendonte më parë?! Edhe bashkia i kërkoi të mos jepte dorëheqjen dhe vazhdoi. Edhe unë i thashë që mos u largo, sepse këtu në Shkodër do të të quajnë frikacak. Ndërsa, për sa i përket largimit në dy ndeshjet e fundit, ka bërë gabim që ka ikur. Nuk është se nuk i mbetet edhe atij barra e rënies nga kategoria.

Nëse Bashkia e Shkodrës do të kërkonte të bashkëpunonte me ju, çfarë do të bënit në këtë moment?

Për momentin jam konfuz. Gjithçka varet nga bashkia që, me sa di, ka bërë një vlerësim të shitjes dhe borxheve që ka Vllaznia si klub. Tani, të flasim drejt, sot ke një Vllazni me 1.5 miliardë lekë borxhe. Kush e merr?! Çdo gjë mes meje dhe Vllaznisë është se si do të gjejë formën bashkia, si do a vazhdojë këtë proces? Si e mendon bashkia shlyerjen e borxheve apo shitjen e klubit. Ka disa forma, por duhet të dini se unë nuk jam një person që kam interes në futboll. Nëse ata kanë nevojë për mua, e kam thënë gjithmonë se jam gati, por duhet gjetur forma ligjore, jo të të mbetet gjithçka në dorë.

Nëse bashkia nuk jep garanci për borxhet, ju mendoni se nuk ka shanse ta marrë njeri përsipër klubin?

Mos, mor burrë! Këtu ke klube në Slloveni, Kroaci dhe Austri që mund t’i blesh me 700 mijë euro, jo më të vijnë te Vllaznia me miliarda borxhe. Unë jam gati të marrë një Vllazni pa borxhe dhe me standarde normale. Tani Vllaznia një kategori më poshtë, borxhe po e po, formën se si do e ndjek bashkia, nuk e di, kështu që nuk kam çfarë të them. Jam konfuz, as them që nuk e marr dhe as them që e marr. Vllaznia është Vllazni dhe mbetet emër i madh, por duhet sistemuar. Unë Shkodrës i kam sjellë trofe dhe sukses në Kupat e Europës. E kam lënë pa borxhe klubin dhe tani bashkia duhet të gjejë formën e privatizimit, të borxheve, të dhënies në përdorim apo të falimentimit. Gjithçka është në dorë të bashkisë, nëse do të ishte për mua, sot do të luftoja për titullin kampion.

Ky artikull është ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Riprodhimi i tij nga media të tjera në mënyrë të pjesshme ose të plotë pa lejen e kompanisë do të ndiqet në rrugë ligjore.

JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"