E PLOTË/ Eskerdinja nuk vjen te Skënderbeu, Shehi: Nuk kam duel me Dajën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2018 | 22:53

E PLOTË/ Eskerdinja nuk vjen te Skënderbeu, Shehi: Nuk kam duel me Dajën

Mungesa e akordit me Eskardinjën dhe rikthimi pas i klubit për kartonin e lojtarit duket se janë  “pengu” i Skënderbeut në lidhje më ketë merkato. Një gjë të tillë e bën me dije vetë trajneri i bardhekuqve, Orges Sheqhi, i cili në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” tregon “pengjet” e merkatos dhe vijimin e sezonit me bardhekuqtë.

shehi

Shehi, merkatoja u mbyll, sa i kënaqur jeni me mënyrën sesi ka lëvizur klubi?

Të them të drejtën është një merkato deri diku e mirë, duke parë edhe situatën që po kalonim. Mund të them se provuam deri në fund të arrinim një akord me Krymin dhe Eskerdinjën, për shkak të afateve nuk mundë të gjenim një lojtar.Më vjen keq për Eskerdinjën, që ishte shumë pranë, por një kthim pas i klubit brazilian bëri që gjithçka të prishej.

eskerdinja skenderbeu

Në ç’kuptim?

Fillimisht kërkuam të blinim kartonin e lojtarit dhe ne ramë dakord për shumën që ata donin për shërbimet e lojtarit. Por, në momentin e fundit kur duket se ishte gati gjithçka, u prish pasi u kthyen pas dhe refuzuan të largonin lojtarin.

Mesfusha mbetet bosh tani pa shumë zgjidhje?

Nuk kemi çfarë t’i bëjmë do të mundohemi t’ia dalim me këta lojtarë që kemi. Ishte e nevojshme afrimi i lojtarëve, por nuk arritëm dot. Tani do të shohim se si do të shkojnë gjërat nëse mund të gjejmë ndonjë lojtar të lirë pa ekip, pasi vetëm ata mund të federohen.

Le të flasim për kampionatin, pas disa ditësh çfarë pengu keni nga ndeshja me Laçin?

Më vjen keq që nuk e fituam pasi bëmë gjithçka mundëm dhe kërkuam ta fitonim. E kishim në dorën tonë, por fati në disa raste nuk është me ty. Provuam gjithë kohës. Më vjen keq për golin që mund të shmangej dhe ua kam thënë edhe lojtarëve, ndërsa nga ana tjetër tentuam gjithçka edhe me ndërrimet e skemave. Por na prishi shumë punë mbetja me një lojtar më pak e më pas me dy pas dëmtimit të Demtes.

7 pikë në tri javë janë kënaqshëm për Shehin?

Një trajner kërkon gjithmonë maksimumin. Jam i bindur se mund të kishim edhe më shumë, pasi ndaj Laçit meritonim tri pikët. Gjithsesi them se është një grumbullim pikësh i kënaqshëm për momentin.

Ndaj Flamurtarit të Dajës që ka po shtatë pikë. Si ju tingëllon kjo përballje me ish-trajnerin tuaj?

Kjo nuk është një ndeshje mes meje dhe Dajës, por mes Skënderbeut dhe Flamurtarit. Të paktën unë kështu e shoh. Do të jetë një ndeshje e fortë, pasi luajnë dy ekipe që kanë pasur shumë rivalitet kohët e fundit. Pritet që të jetë e fortë.

Skënderbeu shkon edhe për një barazim atje?

Skënderbeu im e kam thënë dhe po e përsëris, sa kohë do jem unë këtu Skënderbeu do të shkojë në çdo ndeshje për të dhënë maksimumin. Do të kërkojë që lojtarët të japin gjithçka pavarësisht çfarë rezultati marrin. Më pas e vendos fusha. Por, të paktën jemi të bindur që kemi dhënë gjithçka. Jam i kënaqur që një gjë të tillë Skënderbeu im e bën në çdo ndeshje.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"