E PLOTË/ Dueli për titullin, legjenda korçare: Skënderbeu më ekspert se Partizani, Kukësi e Flamurtari duan…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2018 | 21:36

E PLOTË/ Dueli për titullin, legjenda korçare: Skënderbeu më ekspert se Partizani, Kukësi e Flamurtari duan…

Kampionati bën ndalesën e radhës dhe ekipet kanë hapësirën e duhur për t’u çlodhur. Në të tilla kushte, pas 13 javësh ekipi i Skënderbeut mbetet në vendin e dytë dy pikë larg Partizanit kryesues. Në një prononcim të dhënë për gazetën “Panorama Sport”, legjenda e ekipit të Skënderbeut, Teodor Vaso, komenton ecurinë e korçarëve dhe perspektivën për të ardhmen në një kampionat që sipas tij është i fortë dhe i luftuar. Ndërsa, nga ana tjetër, Partizanin e këtij sezoni e sheh më të fortë se sezonet e tjera dhe një pretendent për titull së bashku me Skënderbeun.

teodor vaso

Profesor Vaso, 13 javë kampionat, si duket ecuria dhe cilësia e ekipeve të këtij sezoni?

Në gjykimin tim, pasi gjithkush shpreh mendimet e veta për të analizuar një sezon janë shumë faktorë që duhen prekur dhe unë po ndalem shkurtimisht tek një analizë e koncentruar. Mendoj se një sezon i tillë është mjaft i fortë, pasi ekipet duket se nuk kanë shumë diferencë me njëra-tjetrën. Është një sezon ku kemi shumë skuadra që janë në një nivel të përafërt, disa që janë më dobët se të tjerat dhe dy ekipe, veçanërisht Skënderbeun dhe deri diku Partizanin, që bëjnë më shumë se pjesa tjetër.

Skënderbeu duket se nuk ndalet me të mëdhatë dhe ka vështirësi me të voglat…

Asnjëherë një ekip nuk ka një kurbë të njëtrajtshme për sa i përket ecurisë. Në ndeshje të forta ekipi vetëmotivohet dhe nuk ka nevojë për stimuj të jashtëm, ndërsa problemi është në ndeshjet e lehta në letër. Në një situatë të tillë mund të them se me kalimin e kohës do të rregullohet edhe kjo pjesë, pasi lojtarët janë të rinj dhe ndryshimet bëjnë punën e vet. Në një ekip të tillë kaq të ri në moshë, eksperienca e fituar ndeshje pas ndeshjeje është mjaft e rëndësishme.

Fakti që Skënderbeu ka dy fitore me Flamurtarin dhe Partizanin, a përbën një avantazh?

Të fitosh ndeshje të tilla me rivalët për titull është diçka që të jep shumë eufori dhe dëshirë për të vijuar përpara. Në një situatë të tillë, mund të them se kjo tregon forcën e Skënderbeut dhe se çfarë janë në gjendje të bëjnë këta lojtarë në ndeshje të rëndësishme. Skënderbeu ka eksperiencën dhe petkun e kampionit që të tjerat nuk e kanë. Këtu qëndron diferenca.

Pas shumë ndryshimeve dhe hezitimeve në fillim të sezonit, e mendonit se do të bënin këtë paraqitje?

Të them të drejtën unë që në fillim kamë pasur besimin dhe vijoj të jem në të njëjtin mendim se Skënderbeu mbetet ekipi i aftë të përmbysë çdo rezultat dhe të fitojë kudo. Gjë që po e tregon përgjatë këtij sezoni. Është një ekip i fortë dhe me karakterin e duhur që i duhet një ekipi për të ecur në rrugën e sukseseve të vazhdueshme në kampionat.

Po kryeson Partizani, si i shihni të kuqtë?

E kemi thënë që në fillim se Skënder Gega ka sjellë mënyrën e tij të punës te ky ekip. Nuk është më ai Partizan që prekej nga faktorët e jashtëm, por mendon vetëm për fushën dhe kjo është meritë e trajnerit që ka ditur të vendosë rregullat e veta për të mos e shpërqendruar ekipin në shumë fusha. Ka vetëm dy humbje dhe të dyja ndaj Skënderbeut, gjë që tregon se është një ekip, i cili do të luftojë deri në fund me korçarët për titull.

Kukësi dhe Flamurtari janë ekipet e tjera që i shihni pretendente?

Nuk mund të themi me saktësi vetëm për këto dy ekipe, pasi janë disa që kanë të njëjtin nivel. Këtu nuk mund të lë pas Laçin dhe Teutën që janë duke bërë mirë këtë sezon. Veçse si Flamurtari dhe Kukësi duan kohë për shkak të ndryshimeve të shumta që kanë bërë. Trajnerët duan kohën e tyre për të sjellë frymën dhe lojën e tyre në këto ekipe.

Tirana vuan. Mendoni se bardheblutë janë sërish për mbijetesë?

Tirana është në një pozicion të vështirë për shkak të shumë faktorëve. Presioni i madh i një ekipi që ka shumë trofe dhe për më tepër shumë kohë pa fituar. Lojtarët që janë ndryshuar dhe trajnerët që nuk qëndrojnë gjatë. Dhe mbi të gjitha tifozët që i kanë dalë kundër klubit prej kohësh dhe tani edhe kundër lojtarëve. Nëse ke kaq shumë probleme, është e vështirë të mendosh për futbollin.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"