E PLOTË/ “Do kopjoj Safetin”, presidenti Gjici: Idrizi bën mirë që më imiton, por jo si “fanti spathi”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2018 | 23:28

E PLOTË/ “Do kopjoj Safetin”, presidenti Gjici: Idrizi bën mirë që më imiton, por jo si “fanti spathi”

Politikat e ndjekura nga Safet Gjici jo vetëm që kanë rezultuar efikase për Kukësin, por po merren edhe si model nga klubet e tjera të Kategorisë Superiore. Në batutë e sipër, administratori i Flamurtarit deklaroi për gazetën se do të fillojë edhe me “ultimatumet” për të gjetur rrugën e kthesës.

“Tani filloj taktikën e Safetit (Gjicit) unë. Në 5 ndeshjet e radhës dua 15 pikë. Unë jam i detyruar të mësoj nga njëri”, tha Sinan Idrizi ndër të tjera. Kaq ka mjaftuar që të përgjigjet edhe presidenti i Kukësit. Ekskluzivisht për “Panorama Sport”, Safet Gjici i kujtoi homologut të tij që një ditë edhe mund ta arrijë. Ndihet mirë që dikush do që ta marrë si shembull, por nuk ngurron që ta paralajmërojë se bëri gabim që u fut si “fanti spathi” në rastin e Elton Kalesë.

idrizi-sot-850x450

MODELI – “E njoh mirë Sinanin. Është miku ynë. I kam dëgjuar ato çka ka thënë, e nga njëra anë me vjen mirë që do të më imitojë mua dhe Kukësin, pasi puna dhe rezultatet tona flasin qartë në gjithë këto vite. Por, unë dua t’i them kolegut tim se dhe Flamurtari mund t’i arrijë këto suksese. Në fakt, nuk është gjë e keqe të imitosh, pasi dhe ne në fillimet tona kemi marrë shembuj ekipet që kishin suksese e që fitonin trofe.

Unë jam president klubi, njëlloj si Sinani, unë nuk kam shkopin magjik në duar, por sekreti im është që unë jam shumë pranë me ekipin. Flamurtari ka shanse të ecë shumë, pasi i ka mundësitë dhe është ekip ku Sinani ka investuar jo pak. Secili president ka metodat veta të drejtimit, unë jo se bëj magji, por duke qenë kaq i dhënë për ekipin dhe punët e tij, jam këtu ku jam. Kështu që dhe Idrizi ka mundësi të bëj gjëra të mira, madje dhe duke më imituar mua”, tha fillimisht numri një i klubit verilindor.

POROSITË – Gjici nuk hezitoi që t’i japë edhe dy këshilla homologut të tij, ndërkohë deklaron se nuk do të mungojë kurrë më në tribunë kur të luajë kundër Flamurtarit. “Kam dy gjëra për t’i thënë Idrizit. E para është një këshillë, në rastin e Kalesë nuk ka bërë mirë që ka hyrë si palë e tretë mes dy palëve. Ose thënë në gjuhën popullore si “fanti spathi”, sepse është një njeri që i ndjek rregullat, e zbaton normat. Por në këtë rast nuk e di si ka ndodhur, ose ndonjë vartës i tij ka ndërhyrë dhe i ka mbushur mendjen. Nuk e kuptoj dot sesi e ka bërë, për shkak se Kale është një lojtar i Kukësit dhe ka kontratë të rregullt me klubin tonë.

Ne jemi palë e dëmtuar, pasi na janë prishur planet, sepse e kishim llogaritur ta kishim edhe në Champions Ligë, madje edhe lojtari vetë është dëmtuar, pasi nuk luan. Unë nuk do ta beja kurrë një gjë të tillë, më kanë ardhur me dhjetëra lojtarë, e kur i kam parë që kanë qenë nën kontratë, nuk i kam pranuar. Për të marrë një lojtar, ka dy rrugë; ose fol e bie dakord me ekipin që e ka në pronësi ose bli kartonin. Rruga që zgjodhi Sinani ishte e gabuar. Çështja e tij është në FIFA, e kjo gjë nuk ka shumë rëndësi më shumë sesa ka gjesti i bërë. Premtimi është që: në takimin në Vlorë, Flamurtari na mundi dhe Sinani e di mirë sesi. Unë nuk isha prezent, e ajo fitore ishte e fundit për Flamurtarin, të tjera nuk do ndodhin më. Ne nuk nënvlerësojmë askënd, madje mund të them që të gjitha ekipet janë shumë të vështira për t’u mundur. Kampionati është shumë i gjatë dhe shumë i vështirë, kështu që i respektojmë shumë të gjithë, por në mentalitetin tim është vetëm fitorja”, ka thënë për këtë çështje presidenti i Kukësit.

KAMZA – Fitorja ndaj Kamzës ishte një ndeshje radhe, nuk pati ndonjë gjë ekstra, paçka se gëzimi i kreut të klubit ishte normal, por këtë herë Gjici e shfaqi, pasi shpeshherë ka qenë i ftohtë: “Ishte një ndeshje e vështirë, të cilën duhet ta fitonim dhe e arritëm. Nuk pati ndonjë gjë ekstra gëzimi im, ishte legjitim, pasi çdo fitore festohet. Mbrapa nuk pati asgjë të veçantë, nuk pati ndonjë festë, pasi ishte thjesht takimi i radhës, në të cilën ne bëmë vetëm atë që duhet të bënim. Në fund pimë edhe një kafe me z.Qarri. Respektuam miqtë, kaq ishte e gjitha”, u shpreh ai.

MUSOLLI – Mungesa e Musollit është evidente te Kukësi, e kreu i klubit flet për këtë çështje, por nuk harron të mendojë për pritshmëritë që ka nga ekipi. “Dihet që mungesa e Musollit na dëmton, por unë kam besim tek ekipi dhe lojtarët që do e zëvendësojnë. Pres shumë nga të gjithë lojtarët, pashë që mesfushorët po përpiqeshin shumë, por natyrisht mesfushorit francez Shahik si dhe Limajt iu duhet dhe pak kohë që të japin më të mirën e tyre, pra secili kërkon kohën e nevojshme, e unë jam nga ata që i mirëkuptoj të gjithë dhe mundohem t’i ndihmoj e t’iu besoj.

Ndërsa për pritshmëritë, natyrisht që kam shumë, të gjithë e dinë që unë dua vetëm të fitoj, por konkurrenca është e fortë, të gjitha ekipet janë forcuar shumë, nuk ka më ndeshje të lehta, apo ekipe të mëdha e të vogla. Unë i kam kërkuar ekipit dhe trajnerit t’i marrin ndeshjet një e nga një, duke filluar që nga Luftëtari. E them me plot bindje se është një takim që duhet ta vlerësojmë maksimalisht dhe duhet të punojmë me shumë seriozitet. Natyrisht që në fund dihet që unë dua titullin kampion, vetëm titulli më kënaq mua dhe u përgjigjet investimeve të mëdha dhe serioze që unë kam bërë jo vetëm këtë vit, por në të gjithë këtë periudhë 5-6 vjeçare në krye të Kukësit”, ka përfunduar Safet Gjici, i cili ka fituar titullin kampion dhe Kupën e Shqipërisë në tri sezonet e fundit.

SKERDILAID SULOZEQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"