E PLOTË/ Dabulla analizon Tiranën: Ze Maria bën protagonistin me Karabecin, Tirana duhet të merrte…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2018 | 23:03

E PLOTË/ Dabulla analizon Tiranën: Ze Maria bën protagonistin me Karabecin, Tirana duhet të merrte…

Mungesa e titullit në disa vite nuk e zbeh kurrsesi historinë e Tiranës. Rënia nga kategoria për herë të parë apo edhe paraqitjet aspak bindëse në start të sezonit, nuk e zhbëjnë lavdinë e 24 herë kampionëve të vendit dhe skuadrës më të titulluar. Mirëpo, kur një prej atyre që kanë qenë pjesë e “Tironës së lavdishme”, siç e cilësojnë tifozët bardheblu në dialektin e Shqipërisë së Mesme, komenton skuadrën aktuale, duket se asgjë nuk funksionon. Rezart Dabulla, në një intervistë për “Panorama Sport”, analizon situatën e Tiranës me ndryshimet në mbrojtje, çështjen “Karabeci” e gjithçka…

Dabulla ne Tirana-Kamza 2-0

Në 4 ndeshje, Tirana ka ndryshuar shumë në qendër të mbrojtjes (Atinga, Berisha, Imami, Cake përkrah Turtullit) dhe ka pësuar shumë. Si i keni parë këto zgjedhje?

Nuk e shoh pozitive. Jo vetëm ndryshimet në mbrojtje, por edhe në komplet skuadrën. Ka qenë një periudhë pak e çoroditur, sepse këto eksperimente duheshin bërë para se të fillonte kampionati. Duheshin saktësuar se cilët lojtarë ishin të duhurit, pasi t’i bësh këto eksperimente gjatë kampionatit, do të thotë të lësh pikë rrugës, siç janë lënë. Mungesa e testeve ka bërë që të mos saktësohen të duhurit.

Pse vjen kjo zgjedhje?

Trajneri ka kërkuar lojtarët e duhur dhe mbase klubi nuk ia ka vënë në dispozicion. Nuk dimë ta themi ekzakt këtë akoma, pasi nuk mund të themi nëse e kanë fajin lojtarët që janë afruar apo zgjedhjet që bën trajneri. Sipas meje, mund të bëhej zgjedhja e një lojtari të mirë dhe të afirmuar për qendrën e mbrojtjes. Për shembull, Osmani, deri vonë ishte i lirë dhe pse të mos afrohej ai në vend të 2 apo 3 lojtarëve.

Dy kartonë të verdhë në mesfushë nga një mbrojtës i rëndësishëm si Hoxhallari përpara Skënderbeut dhe Partizanit. Çfarë po ndodh?

Futbolli është edhe lojë gabimesh. Mbase nga dëshira e tepërt dhe presioni për të marrë rezultatin mund të bësh edhe gabime të tilla. Ama, kartonët ndodh të merren dhe për këtë, ekipi duhet të jetë i përgatitur që të ketë zëvendësuesin, pasi asnjëherë nuk është mirë që të varet komplet te një lojtar, sado i rëndësishëm të jetë ai.

Sulmi nuk ka bindur, por dha disa sinjale ndaj Luftëtarit me Ngoo e Grecën nga stoli dhe Blazhevskin që shënoi. A ju bind vija ofensive?

Do ta tregojë koha, pasi në 3 ndeshjet e para nuk ka bindur. Ndaj Luftëtarit dha disa sinjale, por për hir të së vërtetës, Luftëtari nuk u paraqit si ndonjë skuadër për të thënë në fund që kushedi kë mundi. Ishte një skuadër normale, që në start ka qenë më e dobët sesa Tirana. Tirana do ta tregojë sa vlen me ekipet kryesore, me Skënderbeun dhe Partizanin. Me çfarë kanë treguar në 4 javë, jam shumë skeptik.

Po për zgjedhjet e trajnerit, ka vend për skepticizëm?

Nuk di nëse te Tirana kanë marrë lojtarët e duhur apo jo. Nëse trajneri bën taktikën që do, këtë që po shohim, sepse këta janë lojtarët që i përshtaten apo i zgjedh sepse këta ka. Por, edhe ai vetë ka përgjegjësi, sepse ekipi ka qenë jo stabël dhe deri më tani nuk dimë se kush luan. Më tej, nuk shoh lider për çdo repart. Lojtarë të spikatur në role të ndryshme, që drejtojnë repartin. Të paktën unë kështu jam mësuar, që të kishim në secilin nga një që të drejtonte.

Te Tirana nuk janë apo ndryshimet e trajnerit nuk i lënë të shfaqen?

Nuk di ta them. Mund të them që secili lider duhet të dijë që ta shfaqë veten, lojtarët të marrin përsipër dhe të tregojnë vërtet forcën për të udhëhequr ekipin në fushë. Nëse ia ka dhënë trajneri mundësinë apo jo, nuk mund të themi akoma. Por, një shprehje thotë se ‘që dikush të tundë këmborën, duhet që t’ia varin në qafë’.

Mos ndoshta trajneri Ze Maria është sjellë si lideri?

Me sa kam parë, duket që është trajneri që kërkon ‘t’i bjerë këmborës’, por ai nuk luan dhe janë lojtarët që e bëjnë, qoftë për të fituar ndeshjen apo qoftë me gabimet që e humbasin. Nga jashtë e shoh se është trajneri më shumë protagonist. Ndodh edhe që të jetë e suksesshme kjo zgjedhje, se merr përsipër presionin, por zakonisht, duhet të jetë ndryshe dhe të jenë lojtarët protagonistë. Një ekip të mirë e bëjnë lojtarët dhe duhet që të jenë disa ‘gjeneralë’. Vetëm me ushtarë nuk fitohet lufta dhe trajneri duhet të gjejë balancat.

Nga eksperienca, çfarë risku ka te Tirana një zënkë publike mes trajnerit dhe kapitenit?

Varet se kush është trajneri dhe kush është kapiteni (qesh…). Përtej kësaj, janë dy njerëz që duhet të shkojnë shumë mirë, pasi kapiteni mbron idetë e trajnerit në fushë. Sipas meje, Ze Maria duhet të ulej me Karabecin dhe të diskutonte me të për të kuptuar çfarë ndodh. Kjo, pasi bëhet fjalë për një kapiten prej disa vitesh në këtë ekip. Kam dëgjuar që trajneri ankohet për stërvitshmërinë, por, me sa kujtoj, që kur Erando është aty, kur unë luaja akoma futboll, ka qenë model dhe vazhdon që të jetë model për stërvitshmërinë.

Megjithatë, ka dy mënyra për të luajtur futboll: E para me “diktaturë”, ku secili lojtar të zbatojë vetëm detyrat, dhe e dyta me dëshirë dhe pasion ku secili lojtar, edhe kur nuk është në ditën e tij më të mirë, jep më të mirën edhe për trajnerin që ta nderojë dhe shpëtojë atë. E te Tirana sikur nuk po ndodh kjo e dyta. Në kohën time, nuk dua që të mburremi, por ne kishim detyrën që secili të jetë më i miri përballë kundërshtarit dhe të fitojmë ndeshjen. Kujtoj që Fortuzi dhe Prenga nuk flisnin me njëri-tjetrin, por ky i fundit vetëm atij ia jepte topin dhe ne fitonim. Jashtë fushe, ishte tjetër gjë, ama në lojë ne nuk çedonim për asnjë moment. Por, kohë tjetër dhe mbase gjërat ndryshojnë…

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"