E PLOTË/ Bregu si në ëndërr: Skënderbeu dominon sërish, të ardhmen e di vetëm…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2018 | 22:48

E PLOTË/ Bregu si në ëndërr: Skënderbeu dominon sërish, të ardhmen e di vetëm…

Dejvi Bregu e ka ni sur shkëlqyeshëm aventurën e re me Skënderbeun, pasi që në debutimin zyrtar shënon gol dhe fiton trofeun e parë me korçarët. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” pas fitimit të Superkupës, vlonjati tregon emocionet e fillimit, si dhe ambiciet e tij personale dhe të klubit për sezonin e ri.

Sipas tij, Skënderbeu mbetet i njëjti, ndonëse e quajnë të dobësuar, ndaj atë që tregoi në finalen e Superkupës do ta demonstrojë edhe gjatë sezonit të ri. Ai shprehet që nga kjo aventurë e re me korçarët të sigurojë një transferim jashtë vendit dhe, pse jo,thirrjen nga trajneri Panuçi.

djevi bregu

Debutim me gol dhe trofe te Skënderbeu në ndeshje zyrtare, a e prisnit këtë start?

Është diçka që e prisja, pasi vetë ambienti dhe stafi teknik të jep siguri. Më kanë pritur shumë mirë dhe që në fillim më kanë bërë një përkrahje të jashtëzakonshme. Besoj se ekipi e meriton këtë trofe, ashtu siç gjithë të tjerat më parë.

Si ju duket skuadra e re, e cila ka pësuar ndryshime të mëdha në krahasim me edicionin e fundit, madje për këtë arsye Skënderbeu nuk quhet aq i fortë sa më parë?

Nëse të tjerët nuk e quajnë kaq të fortë, mund të them se Skënderbeu ka të njëjtin ritëm për trofe. Atë që treguam në finalen e Superkupës do ta tregojmë edhe në vijimësinë e kampionatit. Skuadra bën futbollin më të mirë në Shqipëri dhe kjo nuk ka nevojë për koment dhe them se duket qartë në fushë.

Mbështetja e tifozëve ndaj jush u pa që në debutim, duket se i keni fituar shumë shpejt zemrat e korçarëve?

Këtë gjë e tregoj në fushë dhe nuk kam nevojë të flas. Fusha është ajo që i tregon të gjitha për një futbollist dhe unë mundohem të bëj punën time dhe të jap më të mirën për ekipin.

Cilat janë objektivat personalë të Bregut në këtë sezon të parë me Skënderbeun?

Synoj të jap maksimumin te Skënderbeu, pastaj klubi dhe agjenti im të më ndihmojnë për të gjetur një kampionat akoma më të fortë. Për momentin nuk po mendoj asgjë tjetër, veçse të shijoj këtë edicion si pjesë e skuadrës korçare.

A ju vjen keq që gjatë kësaj merkatoje vere nuk arritët që të transferoheshit jashtë vendit, duke mbetur pjesë e Superiores edhe për një sezon?

Keq më vjen, pasi besoj se kam dhënë shumë, gjithsesi këto janë gjëra të shkruara nga Zoti. Mua më del për detyrë të vazhdoj punën dhe të jap më shumë seç kam dhënë deri tani.

Goli në Superkupë mos është një mesazh edhe për trajnerin e Kombëtares, Kristian Panuçi?

Mendoj se është herët për të folur për Kombëtaren. Unë jam këtu dhe çdo gjë do ta tregoj në fushën e lojës dhe, kur të vijë momenti, shpresoj të jem gati.

Keni në mendje ndonjë numër golash që mund të shënoni me fanellën e Skënderbeut këtë sezon?

Nuk i kam caktuar vetës asnjë numër, thjesht dua të shfaqem sa më mirë dhe të ndihmoj ekipin. Dua të shënoj sa më shumë gola, të cilët duhet të kenë edhe vlerën e pikëve.

Keni ndonjë dedikim për golin dhe trofeun e parë si pjesë e skuadrës korçare?

Golin ua dedikoj prindërve të mi, që janë gjithmonë mbështetja më e madhe për mua, në momente të këqija dhe pozitive.

OLSI TUJANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"