E PLOTË/ Agustin Kola: Disa kalamaj njollosin Tiranën, nuk fitohet me dy orë stërvitje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 9, 2018 | 23:05

E PLOTË/ Agustin Kola: Disa kalamaj njollosin Tiranën, nuk fitohet me dy orë stërvitje

Agustin Kola u jep një shuplakë të rëndë tifozëve të dhunshëm, që përdhosën Tiranën. Në një intervistë për “Panorama Sport”, ish-ylli i bardhebluve rrëfeu se gjendja e skuadrës reflekton nivelin e futbollit shqiptar. Kola pranoi se të gjithë duhet të kuptojnë realitetin e Tiranës dhe se e vetmja rrugë është pajtimi mes tifozëve dhe klubit. Ja intervista e plotë me Agustin Kolën…

Agustin Kola

Agustin Kola

Ngjarje shumë e shëmtuar ajo që u pa të martën në “Selman Stërmasi”. Keni një koment?

E kam thënë një milion herë. Çfarë tifozësh janë këta?! Nuk është turp të bësh kështu për një barazim?! Nuk ndodhi asgjë. Skuadra barazoi me Kukësin. Këta tifozë janë kalamaj bastardë, që njollosin Tironën. Nuk ka lidhje tifozlliku me hyrjen në fushën e lojës.

Ama, mbetet një njollë…

Ky është një turp shumë i madh dhe jo vetëm për Tironën, sepse po ndodh në shumë vende të tjera.

Duket sikur tifozët nuk pranojnë gjë tjetër veç fitores?

Këta djem duhet ta kuptojnë. Këtë futboll kemi dhe duhet ta pranojmë realitetin. Kaq! Duhet t’i shtrijmë këmbët deri kaq, sepse të shkurtër e kemi jorganin. As deri te Struga nuk kemi arritur. Nuk fitohet me dy orë stërvitje në ditë. Për më tepër që mungojnë edhe fushat e futbollit.

Meqë dolët te kjo temë. Terrenet sportive në këtë qytet kanë “vdekur” me kohë?

Po diskutoja me një mikun tim një ditë më parë dhe dolëm në konkluzion se të gjitha fushat e futbollit të dikurshme, janë bërë kisha, xhami e pallate, që mund të ishin ndërtuar diku tjetër. Të kuptohemi, nuk jam kundër të ndërtohet dhe mirë është bërë, por është turp që të prishet një fushë futbolli dhe të ndërtohet diçka tjetër. Që ta dinë të gjithë. Në Tiranë kanë qenë të paktën dhjetë fusha olimpike, jo 70 metra. Shkoni në Tuz apo në Strugë.

Ju më lart thatë që kaq është niveli. Doni të thoni se nuk duhet të presim më shumë…

Çfarë presim ne nga futbolli, ku Partizani është pa fushë, Kukësi lëviz lart e poshtë. Të mos flasim për ekipe të tjera. Këtu ka marrë fund dhe prandaj më vjen keq për këta tifozët, që sot diskutoj. Nuk ka nivel. Të gjithë e panë Juventusin, askush nuk u zu, por të gjithë u morën me lojën. Gjithsesi, në Shqipëri nuk ka futboll dhe kur nuk ka, me këto çështje do të merren të gjithë.

Shohim që klubet heshtin dhe pranojnë edhe ato që kanë ndodhur, mjafton që të mos prishen me tifozët…

Dua të them diçka në lidhje me presidentët dhe tifozët. Presidentët, po të duan, i nxjerrin tifozët jashtë dhe i bëjnë zap përkrahësit e dhunshëm. Gjithmonë nëse duan, mund t’i ndihmojnë tifozët, por jo të bëhen palë. Presidenti nuk ka lidhje me tifozët, klubi është përpara. Nëse ka ndonjë gjë, palët ulen dhe diskutohen në fund të fazës apo sezonit, por jo me urdhra.

Duket sikur tifozët duan të kontrollojnë edhe presidencën?

Tifozët mund të kenë të drejtë për rezultatet, por palët mund të ulen në tryezë. Të flasin, të bashkëpunojnë dhe të zgjidhin këto probleme që kanë. Tani shpërndamë tifozët, lojtarët dhe trajnerët. Tani mbetet vetëm presidenti!

Si mund të zgjidhet një “mosmarrëveshje”, e cila vazhdon prej dy sezonesh?

Tirana e ka shumë të zgjidhshme çështjen. Duhet të ulet në tavolinë dhe të diskutojnë. Tirona kaq e ka takatin dhe të gjithë duhet ta kuptojmë. Nëse Skënderbeu shpenzon 2 milionë euro në vit, po Tirona? Duhet të jemi me këmbë në tokë që të mos na përsëriten historitë e “Qytetit të Nxënësve”, kur tifozët hynë në fushë dhe bënë atë rrëmujën.

OLSI AVDIAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"