E PLOTË/ “9”-ta e mallkuar, Partizani në sulm për një bomber. Nga Çani, te Plaku e Hebaj, ja historia e dështimeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2018 | 22:55

E PLOTË/ “9”-ta e mallkuar, Partizani në sulm për një bomber. Nga Çani, te Plaku e Hebaj, ja historia e dështimeve

Numrat që mbajnë lojtarët në fanellë nënkuptonin shumë në të shkuarën, pasi nga ato profilizohej edhe futbollisti. Me liberalizimin e numrave në fanellë, kuptimi i vërtetë humbi, gjë e cila është parë edhe te Partizani në vitet e fundit. Lojtari që mbante në fanellë numrin nëntë nënkuptonte bomberin, sulmuesin e racës ose “pykën”. Nga një vëzhgim i thjeshtë me atë që ka ndodhur me Partizanin e 6 sezoneve të fundit në Superiore, 9-ta ka rezultuar “e mallkuar” për lojtarët që e kanë mbajtur.

rubin hebaj

Disa nga lojtarët e kanë kuptuar tersin dhe e ndërruan. Në sezonin 2013-2014, Mitraj luajti në 6 ndeshje dhe shënoi 1 gol. Më pas nënta i kaloi në janar Migen Memellit, që në 11 takime shënoi 6 gola. Në sezonin pasardhës Astrit Fazliu e nisi me nëntën, ku shënoi vetëm një gol dhe në pjesën dytë të kampionatit luajti me numrin shtatë. Në sezonin 2015-2016 Sebino Plaku u prezantua me 9-ën, ku luajti 8 takime dhe shënoi 1 gol. Ardit Jaupaj e nisi sezonin 2016-2017 me numrin nëntë, ku luajti 2 minuta në Europë dhe më pas kaloi te numri 91.

cani shameti

Numri “i tersit” i kaloi Ben Azubel, që luan 7 ndeshje dhe shënoi 1 gol. Në janar nënta i kalon Methju Bonifejs. Nigeriani në 7 ndeshje si zëvendësues nuk shënoi asnjë gol. Vjet u mendua se do të thyhej tersi, pasi nënta i kaloi ishsulmuesit të Kombëtares, Edgar Çani. Por “bomba” e merkatos së kuqe erdhi i dëmtuar dhe luajti 11 ndeshje dhe shënoi 1 gol. Edicionin aktual me numrin nëntë e nisi “pijaneci” Stefan Nikoliç, që luajti 40 minuta në dy ndeshje ndaj Mariborit dhe u largua. Tani nëntën e mban Rubin Hebaj që nuk ka shënuar akoma në kampionat. Referuar këtij tersi, Rubin Hebaj duhet të ndryshojë numrin në fanellë nëse kërkon të shënojë gola.

MERKATO

Në përgjithësi, Partizani nuk ka qëlluar në shenjë gjatë periudhave të merkatos në afrimin e “pykave”. Ky tip lojtari u kërkua edhe gjatë verës, por nuk u bë e mundur gjetja e tij. Pas ndeshjes me Kukësin, trajneri Gega e pranoi se prania e një bomberi cilësor i bën mirë ekipit, ndaj kjo mbetet prioritet për merkaton e janarit. Drejtuesit kanë kohë që janë vënë në kërkim të një “pyke” cilësore dhe shpresojnë që në merkaton e dimrit ta gjejnë alternativën e duhur. Një nëntë e vërtetë ka kohë që i mungon ekipit, edhe pse duhet pranuar se në dy sezone këtë funksion e kanë bërë shumë mirë Xhevahir Sukaj dhe Kaleb Ekuban.

numrat 9 te partizani

ILIR CARA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"