E pazakontë te Tomori, lojtarët ndalohen të flasin. “Meraku” i madh i beratasve është…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2019 | 11:01

E pazakontë te Tomori, lojtarët ndalohen të flasin. “Meraku” i madh i beratasve është…

Tomori po arrin fitore javë pas jave dhe kjo ecuri e ka rritur edhe më shumë interesimin e tifozëve beratas, të cilët pritet të jenë më të shumtë sot në shkallët e stadiumit për ndeshjen me Memaliajin. Seanca e fundit stërvitore është zhvilluar dje paradite, një zgjedhje kjo e trajnerit Kristaq Mile me qëllim që futbollistët të kenë më shumë kohë për t’u relaksuar para ndeshjes. 

Tomori-Permeti

Atmosfera në kampin e Tomorit është shumë entuziaste dhe kuptohet që gjithçka vjen nga fitoret radhazi, dy prej të cilave në transfertë, çka do të thotë se skuadra ka potencialin për t’u ngjitur në Kategorinë e Parë.

Futbollistët kanë moral të lartë, ndërsa tifozëria vlerëson punën e trajnerit Mile dhe pret të tjera fitore. Një “dorë” për motivimin e beratasve kanë dhënë edhe drejtuesit e klubit me dhënien e rrogës së muajit të kaluar.

STOP DEKLARATAVE – “Panorama Sport” mëson se me qëllimin që skuadra të mos pushtohet nga euforia e rezultateve pozitive të javëve të fundit, është vendosur që futbollistët nuk duhet të prononcohen për shtypin sportiv deri në një vendim të dytë.

Drejtuesit e klubit kërkojnë që ata të jenë sa më të përqendruar te ndeshja me Memaliajin, ku fitorja është e domosdoshme. Diçka e pazakontë kjo për një ekip të Kategorisë së Dytë, por drejtuesit beratas e kanë parë të udhës të ndjekin këtë rrugë. Ndoshta kjo situatë do të vazhdojë edhe javën e ardhshme, kur do të luhet një ndeshje mjaft delikate.

Tomori

SFIDA NË PATOS– Në fakt, më shumë se përqendrimi për ndeshjen e sotme, drejtuesit e Tomorit e kanë “hallin” te sfida e javës së ardhshme me Albpetrolin rival, një duel shumë i rëndësishëm për objektivin.

Për më tepër, Albpetroli drejtohet nga trajneri Marjol Miho, i cili gjatë verës stërviti Tomorin, por u largua bashkë me disa lojtarë pas vendimit të FSHF-së për limitimin e lojtarëve nga jashtë prefekturës. Beratasit janë të motivuar për fitoren e radhës me Memaliajin, që do të thotë karikim më i madh para Albpetrolit. Për momentin, patosarakët kryesojnë grupin me 18 pikë, ndërsa Tomori renditet i katërti, me 13 pikë.

EDI SPAHIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"