“E parakalojmë Apoloninë”, Dalipi zbulon “misionin”: Të fitojmë derbin dhe i largohemi zonës së kuqe

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2023 | 22:47

“E parakalojmë Apoloninë”, Dalipi zbulon “misionin”: Të fitojmë derbin dhe i largohemi zonës së kuqe

Klevis Dalipi kërkon vetëm fitore në derbi. Kjo javë e vendos përballë Apolonisë dhe trepikëshin e sheh si shpëtim. Kundërshtarin e njeh më së miri, pasi e ka drejtuar në nisje të këtij sezoni dhe ky është pa dyshim një “bonus” i madh. E megjithatë, trajneri nuk ndalet gjatë tek e shkuara.

Dalipi

Përqendrohet vetëm te Lushnja dhe misioni që i ka vënë vetes, të parakalojë në renditje fierakët. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” vlerëson rritjen që ka pësuar skuadra e tij dhe zhbllokimin e sulmuesve.

Keni katër javë nën drejtimin e Lushnjës dhe keni grumbulluar 5 pikë. I kënaqur?

Akoma nuk kemi bërë asgjë. U them vazhdimisht lojtarëve, sidomos atyre me eksperiencë dhe ambiciozë, që duhet të jemi me këmbë në tokë. Kemi shumë punë përpara. Nuk ka nevojë për eufori dhe në fakt nuk ndiej fare shenja të tilla. Ndeshja e radhës vjen shpejt dhe duhet të shohim gjithmonë kundërshtarin që kemi sipër nesh. Nëse e arrijmë atë dhe e superojmë me pikë është i arritur objektivi.

Dhe përpara jush është Apolonia, kundërshtar me të cilin luani këtë javë…

Misioni i radhës është pikërisht Apolonia. Qëllimi ynë është ta vlerësojmë maksimalisht dhe seriozisht. Në detajin më të vogël. Duhet të jemi më mirë se ndeshja e kaluar. Duhet të jemi në proces rritjeje. Gabimet që bëmë për shembull në Lezhë, nuk mund të përsëriten. Këtu i referohem atij golit që morëm në fund.

Kundërshtarin e njihni mirë, pasi me ta e nisët këtë sezon. Do ta mundni?

Në këtë kategori diferencat janë shumë të vogla mes skuadrave. Shoh që skuadra po e merr më seriozisht punën dhe në çdo seancë ka angazhim dhe harmoni. Këtë kam dashur të bëj që në fillim, të injektoj frymën e grupit. Nëse arrin këtë, gjithnjë je i avantazhuar për të fituar.

Afrimet në janar e kanë justifikuar besimin tuaj?

Mendoj që po. Lojtarëve e ardhur në formë huazimi, çdo ditë po përmirësohen. Janë vlerë e shtuar për skuadrën. Edhe lushnjarët po bëjnë shumë. Me eksperiencën e vendësve, formojnë një bashkësi force. Dhe këtë po tregojmë ndeshje pas ndeshjeje.

U zgjua edhe sulmi më në fund. Kanë dy ndeshje radhazi që dyshja Canka-Pepa po shënon. Ju lehtëson?

Unë e dija që do të vinin golat. Çdo ditë tregonin vlerat e tyre në stërvitje, ndaj nuk do të vononte kjo. Po bëhen përcaktues. Janë avantazh i madh. Dhe që të jemi të qartë, ata nuk e bëjnë sulmin. Bëjnë edhe gjërat që kërkoj unë.

Çfarë u keni kërkuar?

Fazën mbrojtëse si skuadër, jo si repart. Ne duhet të mbrojmë të gjithë si kolektiv. Edhe pse Pepa dhe Canka janë sulmues, të cilët në natyrë nuk e kanë shumë dëshirë defensive. Por, do të kthehen të gjithë. Ne këtu jemi vetëm për një mision. Të shpëtojmë Lushnjën nga kjo situatë e keqe që po kalon.

A do t’ju “shpëtonte” një fitore në derbi?

Derbi ka specifikë të veçantë. Unë premtoj që nga ne do të ketë vetëm “luftë”. Do të luftojmë fort si skuadër. Duhet t’u tregojmë tifozëve tanë, që jemi gabimisht këtu ku jemi.

Por, kjo nuk duhet treguar me fjalë. Pavarësisht se unë po e them te “Panorama Sport”, po në fushë. Do ta përsëris atë që u them futbollistëve në dhomat e zhveshjes. Ne duhet t’u tregojmë atyre njerëzve që na mbështesin, që jemi aksidentalisht në këtë pozicion.

ALBAN ALUSH – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"