E papritur! Kampioni i botës në boks merr leje për të lënë armët në Ukrainë që të mbrojë brezin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 21, 2022 | 18:33

E papritur! Kampioni i botës në boks merr leje për të lënë armët në Ukrainë që të mbrojë brezin

Dueli i shumëpritur i peshave të rënda në boks mes Oleksander Usyk dhe Entoni Xhoshua mund të zhvillohet sipas planit në muajin qershor. Konfirmimi vjen nga promotori Edi Hern, i cili ka bërë të ditur se boksieri ukrainas, i cili prej disa javësh është në vendlindjen e tij dhe është regjistruar në forcat ushtarake të angazhuara për mbrojtjen e Kievit, do të largohet për t’u përgatitur për sfidën.

usyk

“Mendoj se dueli do të zhvillohet. Mendoj se kjo është ndeshja e madhe që do të zhvillohet dhe do të bëhet në qershor”, tha ai për duelin e dytë mes dy boksierëve, ku i pari shpalli me vendim unanim ukrainasin kampionin e ri të botës në peshat e rënda.

Edhe promotori Bob Arum hodhi dritë mbi situatën e boksierëve dhe se kishte bisedime të vazhdueshme me qeverinë ukrainase që mendonte se ndeshje të tilla i bënin mirë imazhit të vendit. Ndaj i njëjti trajtim pritej edhe për Vasil Lomaçenko i cili ka planifikuar të ndeshet me Xhorxh Kambosos Jr.

usyk

“Qeveria ukrainase, e cila është e jashtëzakonshme, po bashkëpunon me ne për Lomaçenkon dhe Usyk. Ata e kuptojnë se ka një vlerë të jashtëzakonshme publiciteti që ata të largohen, stërviten dhe të marrin pjesë në duele. Shpresojmë që lufta të ketë mbaruar, por nëse jo, pas ndeshjeve ata do të kthehen në mbrojtjen e vendit të tyre. Por nuk di se si e mendojnë vetë boksierët, nëse do të pranojnë ofertën e Ministrit të Kulturës të Ukrainës që të largohen, stërviten dhe të duelojnë, apo jo”, shpjegoi Arum.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"